Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do ta kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese paketën ligjore kundër dhunës në protesta, të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama.
Ai tha se PD-ja nuk do të lejojë normalitet në jetën parlamentare, ndërsa përfaqësuesit e saj u paraqitën në komisionet parlamentare për të mbajtur qëndrimin e opozitës dhe më pas u larguan.
Berisha theksoi se fokusi i Partisë Demokratike do të jetë mbështetja e protestave studentore dhe organizimi i tubimeve kundër qeverisë.
“Nuk mund të ketë parlament në këto kushte. Sot përfaqësuesit tanë në detyrë, kryetari apo nënkryetari, janë paraqitur te komisionet për të bërë një deklaratë dhe për t’u larguar. Ne jemi në një detyrë shumë të rëndësishme të mobilizimit me të gjithë potencialin tonë të mbështetjes së përditshme të revoltës studentore dhe organizimit periodik të protestave kombëtare në mbështetje të kësaj revolte. Në mbështetje dhe mbrojtje të studentëve”, u shpreh kreu i PD-së.
Pavarësisht se opozita nuk ka votat për të penguar miratimin e paketës së propozuar nga mazhoranca socialiste, Berisha paralajmëroi se do ta çojë atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Ai shprehu mosbesim ndaj këtij institucioni, por tha se kjo nuk do ta ndalojë PD-në të ndjekë rrugën ligjore.
“Gjykata Kushtetuese është një noter i Padrinos, i qeverisë. Megjithatë, ne do e dërgojmë”, deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës reagoi edhe ndaj paralajmërimit të Ramës për krijimin e një liste të zezë për personat që përfshihen në akte dhune gjatë protestave.
Berisha tha se PD-ja do të publikojë fotografitë dhe emrat e efektivëve të policisë që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë joproporcionale ndaj demonstruesve.
“Unë i garantoj ata se tani do të publikojmë fotot dhe emrat e tyre një për një. Listën e zezë të tyre. Ata tani, provë force. Por provën e forcës me sovranin e kanë humbur gjithmonë diktatorët, nuk e fitojnë”, përfundoi Berisha.
