Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Rrëzimi i Vuçiç tregoi që Rama rrëzohet me protesta, zgjedhje dhe alternativë të besueshme


Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka renditur tre mësime që, sipas tij, Shqipëria duhet të nxjerrë nga zhvillimet politike në Serbi dhe rezultati i zgjedhjeve të pretenduara si humbje e Aleksandar Vuçiçit përballë lëvizjes studentore.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj u shpreh se ndryshimi politik kërkon një alternativë të besueshme, protesta të vazhdueshme dhe zgjedhje.

Sipas kreut të Mundësia-s, krijimi i një alternative të besueshme politike është kusht për të sfiduar qeverisjet që ai i cilëson si regjime dhe autokraci.

“E para, një alternativë e besueshme është e vetmja mënyrë për të rrëzuar regjimet dhe autokracitë”, deklaroi Shehaj.

Si mësimin e dytë, ai përmendi vazhdimin e protestave kundër qeverisë së Edi Ramës, duke iu referuar kohëzgjatjes së lëvizjes protestuese në Serbi. Shehaj tha se protestat në Tiranë duhet të vijojnë deri në arritjen e ndryshimit politik që kërkon opozita.

“Protesta duhet të vazhdojë. Në Serbi u deshën dy vjet. Në Tiranë kemi pothuajse pesë muaj që protestojmë dhe duhet të vazhdojmë të protestojmë aq kohë sa është e nevojshme për të rrëzuar Edi Ramën”, u shpreh ai.

Në fund, Shehaj kundërshtoi ftesat e kryeministrit për dialog me protestuesit, duke theksuar se zgjidhja, sipas tij, duhet të vijë përmes zgjedhjeve dhe jo përmes marrëveshjeve politike.

“Nuk ka dialog! Nuk ka marrëveshje! Ndryshimi do të vijë nëpërmjet zgjedhjeve!”, përfundoi kreu i Partisë Mundësia.