Parapagimi i tatim fitimit konsiderohet detyrim tatimor, do zbatohen procedurat e mbledhjes me forcë

Paketa e re fiskale pritet të forcojë disiplinën e pagesës së parapagimeve, zbatimin e kufizimeve për pagesat dhe arkëtimet me para në dorë, përmirësimin e procedurës së kontrollit në kuadër të çregjistrimit të subjekteve, si dhe garantimin e paraqitjes në kohë të dokumentacionit të transferimit të çmimit.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” synon forcimin e kuadrit procedural dhe të masave administrative në funksion të përmbushjes së detyrimeve tatimore, rritjes së efektivitetit të administrimit tatimor dhe kufizimit të mundësive për mospërmbushje të detyrimeve të përcaktuara në legjislacionin tatimor.
Objektivat kryesore që synohen, sipas relacionit janë:
– forcimi i përmbushjes së detyrimeve tatimore, përfshirë parapagimet;
– reduktimi i mundësive për mospërmbushje dhe abuzim me detyrimet për parapagimet;
– forcimi i zbatimit të kufizimeve ligjore për pagesat dhe arkëtimet me para në dorë;
– rritja e efektivitetit të kontrollit dhe verifikimit të situatës tatimore në procesin e çregjistrimit;
– forcimi i respektimit të detyrimeve për paraqitjen në afat të dokumentacionit të transferimit të çmimit;
– rritja e qartësisë dhe sigurisë juridike në zbatimin e masave administrative.
Rënia e arkëtimeve nga tatim fitimi nxit tatimet të shtrëngojnë masat e mbledhjes së tyre
Të ardhurat nga tatim fitimi gjatë këtij viti kanë qenë në rënie të vazhdueshme. Sipas tabelave fiskale të Ministrisë së Financave, për 8 mujorin të ardhurat e tatim fitimit arritën në vlerën e 38,6 mld lekëve, duke shënuar rënie me 5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, ndryshe nga tendenca e taksave të tjera, si TVSH që ishin me rritje, çka tregon për një xhiro të rritur të bizneseve.
Rikthimi i masave shtrënguese, bizneset nuk po fitojnë, apo nuk po paguajnë; Të ardhurat bien 5%
Në relacionin e financave pranohet se në kushtet e rënies së nivelit të pagesave të tyre, është e nevojshme të forcohen mekanizmat që mbështesin respektimin në kohë të këtij detyrimi.
Sipas relacionit, rënia lidhet me ndryshimet e bëra në vitin 2023, sipas të cilave mospagesa e kësteve të tatimit mbi fitimin korporativ dhe mbi të ardhurat personale, e cila trajtohet sipas Nenit 114/1 “Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale”, parashikon se mospagesa e parapagimeve nga biznesi dhe vetëpunësimi, sipas legjislacionit në fuqi për tatimin mbi të ardhurat, dënohet me gjobë në masën 0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, por jo më shumë se 365 ditë kalendarike.
Ulja e masës administrative nga 10% në 0.06% ka përbërë një ndër faktorët që kanë ndikuar në uljen e disiplinës së pagesës së parapagimeve nga tatimpaguesit.
Megjithatë, sqaron relacioni, për të mos rritur masën administative, propozimi përcakton vetëm që parapagimi të jetë detyrim tatimor, duke mundësuar shlyerjen e parapagimeve në përputhje me afatet e pagesës së kësteve, sipas nenit 63 të ligjit për tatim mbi të ardhurat. Ky propozim shmang akumulimin e një vlere të konsiderueshme detyrimi për t’u paguar në momentin e deklarimit dhe përcaktimit përfundimtar të detyrimit tatimor, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës. Në këtë mënyrë, trajtimi i kësteve të papaguara si detyrim tatimor, pas maturimit të tyre, do të shërbejë si një mekanizëm për shpërndarjen në kohë të barrës së pagesës për tatimpaguesin, ndërkohë që do t’i mundësonte administratës tatimore ndërmarrjen në kohë të masave për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara.
Ky parashikim sjell që në rast të mospagesës së parapagimeve nga tatimpaguesit, administrata tatimore të zbatojë masat shtrënguese për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara.
Relacioni sqaron se Përfshirja e parapagimeve në konceptin e detyrimit tatimor krijon një bazë më të qartë për zbatimin e dispozitave procedurale dhe administrative që lidhen me përmbushjen e tyre, duke kufizuar mundësitë për mospërmbushje dhe abuzim. Në këtë mënyrë, krijohen kushte më të përshtatshme për administrimin e detyrimeve tatimore dhe për sigurimin e të ardhurave që lidhen me to duke i siguruar administratës tatimore zbatimin e procedurave të mbledhjes me forcë.
Propozimi për trajtimin e parapagimeve, sipas nenit 63 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat (kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi) si detyrime tatimore të papaguara në afat, pas përfundimit të afatit ligjor të pagesës, synon të mundësojë administrimin dhe mbledhjen në afat të këtyre detyrimeve përgjatë vitit.
Ndryshimet e tjera
Përmirësimi i procedurës së kontrollit në kuadër të çregjistrimit të subjekteve/tatimpaguesve.
Ndryshimi i pikës 3.3 të nenit 45 lidhet me kontrollin që administrata tatimore mund të kryejë, bazuar në analizën e riskut, në mjedisin ku subjekti ushtron veprimtarinë, gjatë procedurës së çregjistrimit. Ky kontroll shërben për verifikimin e situatës tatimore të subjektit përpara përfundimit të procesit të çregjistrimit dhe, për këtë arsye, kërkohet një procedurë që mundëson kryerjen e verifikimit brenda afateve të përcaktuara për këtë proces.
Përcaktimi se, për këtë kontroll, nuk zbatohet afati i njoftimit të parashikuar në nenin 81 “Njoftimi i kontrollit tatimor”, të këtij ligji, qartëson raportin ndërmjet dispozitave dhe mundëson kryerjen në kohë të verifikimit të nevojshëm, pa cënuar kufirin maksimal prej 30 ditësh pune, të përcaktuar në nenin 45, për ushtrimin dhe pasqyrimin e kontrollit në situatën tatimore të subjektit. Në këtë mënyrë, shmangen vonesat procedurale dhe sigurohet një vlerësim më efektiv i situatës tatimore përpara përfundimit të procesit të çregjistrimit. Përjashtimi nga afati i njoftimit nuk cenon garancitë procedurale të kontrollit. Ai prek vetëm momentin e njoftimit, ndërsa kontrolli dhe rezultatet e tij vazhdojnë të dokumentohen dhe të trajtohen sipas rregullave përkatëse, brenda afatit të përcaktuar në nenin 45.
Forcimi i kuadrit ligjor për kufizimin e pagesave dhe arkëtimeve me para në dorë.
Vitin e kaluar, me paketën Fiskale 2026, u bënë ndërhyrje në nenin 59 të ligjit për procedurat tatimore, ku u rrit kufizimi në shuma maksimale për kryerjen e transaksioneve me para në dorë mes bizneseve, si dhe u parashikuan edhe kufizime për transaksionet mes bizneseve dhe individëve. Nga zbatimi në praktikë ka rezultuar e nevojshme që dispozita që përcakton masën administrative në nenin 120 të ligjit, kur nuk zbatohet ky detyrim, të jetë në përputhje me fushën dhe përmbajtjen e detyrimit ligjor, si për transaksionet midis bizneseve, ashtu edhe për transaksionet mes bizneseve dhe individëve. Në këtë mënyrë, sigurohet një lidhje e qartë ndërmjet normës që përcakton detyrimin dhe normës që parashikon pasojën administrative në rast të mosrespektimit të tij.
Në këtë kuadër, fillimisht përcaktohet ndryshimi i titullit të nenit 120, duke zëvendësuar formulimin “Pagesat ose arkëtimet me para në dorë mbi 150 000 lekë” me formulimin “Pagesat ose arkëtimet me para në dorë mbi kufijtë e lejuar”. Ndryshimi i emërtimit është i nevojshëm për ta përshtatur titullin e dispozitës me përmbajtjen e saj dhe me rregullimin e parashikuar në nenin 59.
Aktualisht, paragrafi i parë i nenit 120, përcakton masë administrative vetëm për rastet e transaksioneve mes tatimpaguesve, dhe terminologjia e përdorur i referohet ligjit të vjetër për tatimin mbi të ardhurat. Konkretisht përmbajtja e këtij paragrafi është :
“Tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që kryejnë ndërmjet tyre transaksione shitjeje apo blerjeje me para në dorë, jo në përputhje me përcaktimin e pikës 1, të nenit 59, të këtij ligji, dënohen me gjobë në masën 10 për qind të vlerës së secilit transaksion.
Ndryshimi konsiston në riformulimin e këtij paragrafi, me qëllim rregullimin e terminologjisë sipas ligjit nr. 29/2023, përsa i përket kategorive të tatimpaguesve, si dhe shtrirjen e zbatimit të masës administrative prej 10% të vlerës së secilit transaksion edhe për rastet e pagesave cash mes tatimpaguesve dhe konsumatorëve (pika 3 e nenit 59).
Në përfundim, nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje synohet të sigurohet koherenca e kuadrit ligjor për kufizimin e transaksioneve me para në dorë, duke lidhur në mënyrë të qartë kufizimet e përcaktuara në nenin 59 me masat administrative të parashikuara në nenin 120. Kjo qasje mbështet zbatimin efektiv të kufizimeve, rrit gjurmueshmërinë e transaksioneve dhe kontribuon në forcimin e formalizimit të veprimtarisë ekonomike.
Përcaktimi i masës administrative për mosparaqitjen në afat të dokumentacionit të transferimit të çmimit.
Shtimi i pikës 2 në nenin 126 lidhet me nevojën për të forcuar respektimin e detyrimit për paraqitjen e dokumentacionit të transferimit të çmimit brenda afatit të përcaktuar në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”. Ky dokumentacion i nevojitet administratës tatimore për administrimin dhe verifikimin e informacionit që lidhet me zbatimin e rregullave të transferimit të çmimit. Për këtë arsye, parashikimi i një mase administrative të posaçme për mosparaqitjen e tij brenda afatit krijon një mekanizëm më të qartë për garantimin e përmbushjes së këtij detyrimi.
Përcaktimi i gjobës në masën 100 000 deri në 150 000 lekë synon të sigurojë respektimin e afatit ligjor dhe të rrisë efektivitetin e detyrimit për dhënien e informacionit të nevojshëm për administratën tatimore. Ky ndryshim plotëson kuadrin ekzistues të sanksioneve dhe krijon një trajtim të posaçëm për një detyrim me rëndësi për administrimin dhe kontrollin e transaksioneve ndërmjet palëve të lidhura.
Ndryshimi synon të plotësojë kuadrin sanksionues lidhur me detyrimin e tatimpaguesit për vënien në dispozicion të administratës tatimore të dokumentacionit të transferimit të çmimit, brenda afatit 45-ditor të përcaktuar në nenin 37, pika 1, të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.
Ky detyrim ndryshon nga detyrimi për paraqitjen e “Njoftimit të transaksioneve vjetore të kontrolluara”, për mosparaqitjen në kohë të të cilit neni 115/1, pika 1, i ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, parashikon sanksion të posaçëm. Dokumentacioni i transferimit të çmimit vihet në dispozicion të administratës tatimore vetëm me kërkesë të saj dhe brenda afatit të përcaktuar në ligj.
Nga praktika e strukturave të kontrollit tatimor është evidentuar se sanksioni i parashikuar në nenin 126 të ligjit nr. 9920/2008, për refuzimin e dhënies së informacionit të kërkuar nga administrata tatimore, nuk mund të zbatohet për rastin e mosvënies në dispozicion të dokumentacionit të transferimit të çmimit brenda afatit të përcaktuar në nenin 37, pika 1, të ligjit nr. 29/2023. Për këtë arsye, parashikimi i një sanksioni të posaçëm synon të sigurojë zbatimin efektiv të këtij detyrimi dhe të plotësojë kuadrin e masave administrative në fushën e transferimit të çmimit.
Në tërësi, ndryshimet e propozuara synojnë të përmirësojnë koherencën dhe zbatueshmërinë e kuadrit ligjor të procedurave tatimore, duke forcuar disiplinën në përmbushjen e detyrimeve, qartësuar procedurat e kontrollit dhe të sanksionimit si dhe rritur efektivitetin e instrumenteve në dispozicion të administratës tatimore. Efektet e pritshme lidhen me rritjen e përmbushjes në kohë të detyrimeve tatimore, përfshirë parapagimet, forcimin e gjurmueshmërisë së transaksioneve, përmirësimin e kontrollit tatimor dhe mbështetjen e procesit të formalizimit të ekonomisë.
NDRYSHIMET
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, përbëhet nga 5 nene.
Neni 1 përcakton përfshirjen e parapagimit në përkufizimin e detyrimit tatimor, duke e përcaktuar atë si pjesë të detyrimit tatimor, krahas tatimit, kamatëvonesave dhe gjobave.
Neni 2 parashikon përjashtimin nga afati i njoftimit për kontrollin e parashikuar në nenin 45, pika 3.3, duke përcaktuar se për këtë kontroll nuk zbatohet afati i njoftimit të parashikuar në nenin 81 të ligjit.
Ndryshimi synon të mundësojë kryerjen në kohë të verifikimit të situatës tatimore, duke respektuar afatin maksimal prej 30 ditësh pune të përcaktuar për këtë procedurë.
Neni 3 parashikon ndryshimin e nenit 120 të ligjit, duke filluar me ndryshimin e emërtimit të tij, nga “Pagesat ose arkëtimet me para në dorë mbi 150 000 lekë” në “Pagesat ose arkëtimet me para në dorë mbi kufijtë e lejuar”. Ky ndryshim synon përshtatjen e titullit të dispozitës me kufizimet e përcaktuara në nenin 59 të ligjit.
Gjithashtu, ndryshohet paragrafi i parë i nenit 120, duke përcaktuar se tatimpaguesit, personat fizikë, individët tregtarë, të vetëpunësuarit apo entitetet, të cilët kryejnë transaksione shitjeje ose blerjeje me para në dorë në kundërshtim me kufizimet e përcaktuara në pikat 1 dhe 3 të nenit 59, i nënshtrohen masës administrative të parashikuar në këtë dispozitë.
Neni 4 përcakton një mase administrative për mosparaqitjen në afat të dokumentacionit të transferimit të çmimit, duke parashikuar një gjobë nga 100 000 deri në 150 000 lekë. Ndryshimi synon të sigurojë respektimin e afatit të përcaktuar në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe përmbushjen e detyrimit për paraqitjen e këtij dokumentacioni.
Neni 5 përcakton hyrjen në fuqi të ligjit, 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









