Protesta studentore kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 14-të, ndërsa pedagogët konfirmojnë mbështetjen për vijimin e lëvizjes.
Kreu i Sindikatës së Universiteteve, Aleksandër Kovaçi, deklaroi për News24 se pedagogët do të jenë çdo ditë pranë studentëve, duke respektuar organizimin dhe thirrjet e tyre.
Duke folur gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, Kovaçi theksoi se bojkoti i mësimit është vullnetar, por pjesëmarrja në auditore nuk është e mjaftueshme për zhvillimin normal të procesit mësimor.
“Bojkoti është vullnetar dhe nuk besoj se ka studentë mjaftueshëm nëpër salla për të zhvilluar mësim”, u shpreh ai.
Sipas Kovaçit, studentët po kalojnë në një fazë të re organizimi, duke krijuar forume për të koordinuar më mirë lëvizjen dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ai tha se pedagogët janë të gatshëm t’i ndihmojnë në këtë proces.
“Studentët tani janë në një fazë tjetër për t’u organizuar në forume. Ne jemi në mbështetjen e tyre për të ndihmuar se si mund të kalohet kjo situatë”, deklaroi kreu i Sindikatës së Universiteteve.
Kovaçi sqaroi gjithashtu se pedagogët kishin vendosur të mos zhvillonin takimin e planifikuar për orën 10:00, në mënyrë që vëmendja të mbetej te protesta studentore.
“Ne nuk e kemi bërë takimin tonë në orën 10:00 që të mos shpërqendrohet vëmendja nga studentët”, tha ai.
Në përfundim, Kovaçi konfirmoi se pedagogët do të vijojnë të marrin pjesë në protestë çdo ditë, në orën e përcaktuar nga studentët.
“Do të jemi çdo ditë këtu në orën 14:00, sipas asaj që kanë thirrur studentët. Ne jemi aty ku do të jenë studentët”, përfundoi ai.
