Kreu i Sindikatës së Universiteteve, Aleksandër Kovaçi, ka konfirmuar mbështetjen e pedagogëve për protestat studentore, të cilat kanë hyrë sot në ditën e 14-të radhazi.
Duke folur për mikrofonin e News24 nga protesta përpara Ministrisë së Arsimit, Kovaçi deklaroi se bojkoti i mësimit është vullnetar, ndërsa theksoi se pjesëmarrja e studentëve në auditore është e pamjaftueshme për zhvillimin normal të procesit mësimor.
“Bojkoti është vullnetar dhe nuk besoj se ka studentë mjaftueshëm nëpër salla për të zhvilluar mësim”, u shpreh ai.
Kovaçi theksoi se studentët kanë hyrë në një fazë të re organizimi, duke ngritur forume për të koordinuar më tej lëvizjen e tyre.
“Studentët tani janë në një fazë tjetër për t’u organizuar në forume. Ne jemi në mbështetjen e tyre për të ndihmuar se si mund të kalohet kjo situatë”, deklaroi kreu i Sindikatës së Universiteteve.











