Debati për protestat e studentëve në Tiranë është zhvendosur edhe në Komisionin e Ligjeve, ku deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u përplas me kryetarin e komisionit, Ulsi Manja.
Blushi kërkoi ndërprerjen e mbledhjes dhe dorëheqjen e Manjës, duke akuzuar qeverinë dhe Policinë për dhunë ndaj protestuesve.
Gjatë fjalës së tij, Blushi deklaroi se komisioni nuk mund të vijojë punën normalisht, ndërsa studentët, sipas tij, po përballen me dhunë gjatë protestave. Ai përmendi plagosjen e protestuesve dhe përdorimin e plumbave të gomës, duke kërkuar që mbledhja t’u kushtohej kërkesave të të rinjve.
“Prisja nga ky komision të dënonin dhunën kriminale ndaj studentëve, thyerjen e kockave, gjakosjen me plumba gome, njëri për pak sa humbi syrin për shkak të dhunës barbare të këtij regjimi”, u shpreh Blushi.
Deputeti i opozitës e cilësoi situatën si një shenjë të rrëshqitjes së vendit drejt diktaturës dhe kërkoi që komisioni të mbajë qëndrim për atë që e konsideroi dhunë ndaj studentëve. Ai këmbënguli se nuk mund të zhvillohen punimet parlamentare sikur të mos ketë ndodhur asgjë, ndërsa protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Ndërprisni mbledhjen, agjenda e këtij komisioni duhet të jetë vetëm kërkesat e studentëve që po rrihni. Nuk mund të ketë parlament normal, në kushte kur vendi po rrëshket drejt një diktature, drejt një junte policore ku dhuna po legjitimohet dhe po kthehet në të vetmin instrument qeverisës të kësaj mazhorance”, deklaroi Blushi.
Në vijim, ai i kërkoi drejtpërdrejt Manjës të largohet nga drejtimi i komisionit. “Kjo është kërkesa ime, jepni dhe ju dorëheqjen, si kryetar i këtij komisioni që duhet të garantojë zbatimin e ligjit”, tha deputeti.
Nga ana e tij, Ulsi Manja kundërshtoi qëndrimin e Blushit, duke theksuar se dhuna duhet dënuar në çdo formë, përfshirë atë ndaj policisë, institucioneve dhe pronës publike e private. Ai tha se institucionet duhet të vijojnë punën dhe se komisioni nuk mund të ndërpresë agjendën e tij për shkak të protestave.
“Puna e parë që duhet të kishit bërë ju në këtë komision, duhet të ishit bashkuar me ne në dënimin e dhunës mbi policinë e shtetit, mbi institucionet, mbi pronën private dhe publike, padiskutim edhe për dhunën”, u shpreh Manja.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve shtoi se duhen dënuar edhe rastet kur ushtrohet dhunë e tepruar, por theksoi se qëndrimi i tij ndryshon nga ai i opozitës për mënyrën se si duhet të reagojnë institucionet.
“Edhe për tejkalimin e dhunës, por aty ku ndahemi është se ne kërkojmë që institucionet të bëjnë punën e vet, por dhuna duhet të dënohet në çdo lloj forme”, deklaroi Manja.
Ai iu referua gjithashtu përplasjeve fizike mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës në seancën parlamentare të 22 tetorit, duke i cilësuar ato si një mesazh të gabuar për qytetarët. Në fund, Manja bëri të ditur se mbledhja do të vijonte sipas rendit të ditës, duke theksuar se agjenda e integrimit nuk do të ndalet.
“Ndërkohë ne vazhdojmë me rendin e ditës, sepse në fund të fundit agjendën e integrimit, nuk ka forcë që e ndalon në Shqipëri”, përfundoi Manja.
