Anthropic, kompania që zhvillon chatbot-in Claude, ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të përbëjë rreziqe katastrofike ose ekzistenciale për njerëzimin.
Paralajmërimi është bërë publik në dokumentet e paraqitura përpara daljes së planifikuar të kompanisë në bursën amerikane, një ofertë që pritet të jetë ndër më të mëdhatë në historinë e tregjeve financiare.
Në dokumentet financiare, kompania deklaron se sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale mund të shkaktojnë pasoja të rënda nëse zhvillohen dhe përdoren pa masa të përshtatshme sigurie, mbikëqyrje dhe kontroll.
Sipas Anthropic, rreziqet rriten veçanërisht në rastet kur këto sisteme keqpërdoren, kopjohen, shndërrohen në armë ose lejohen të veprojnë me autonomi të lartë.
“Sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale mund të përbëjnë rreziqe katastrofike ose ekzistenciale për njerëzimin, nëse nuk zhvillohen, vendosen në përdorim dhe operohen me masat e duhura mbrojtëse, mbikëqyrjen dhe sigurinë”, thuhet në dokumentet e kompanisë.
Anthropic bëri të ditur se shqetësime për rreziqet e inteligjencës artificiale janë ngritur nga politikëbërës, rregullatorë, studiues, si dhe nga persona brenda vetë organizatës. Kompania thekson se zhvillimi i sigurt i kësaj teknologjie mbetet një çështje thelbësore për të ardhmen e saj dhe të gjithë sektorit.
Paralelisht me këto paralajmërime, Anthropic ka publikuar të dhëna financiare përpara daljes në bursën Nasdaq, ku pritet të listohet me simbolin ANT.
Për gjysmën e parë të vitit, kompania raportoi të ardhura prej 16.3 miliardë dollarësh, humbje prej më shumë se 80.7 miliardë dollarësh dhe 112.4 miliardë dollarë në para të gatshme ose ekuivalentë të tyre. Data e listimit, numri i aksioneve që do të ofrohen dhe çmimi i tyre ende nuk janë bërë të ditura.
Kompania, e themeluar pesë vjet më parë nga drejtori ekzekutiv Dario Amodei, motra e tij Daniela Amodei dhe pesë bashkëthemelues të tjerë, pritet të jetë një rast i rëndësishëm prove për kompanitë e inteligjencës artificiale që synojnë të hyjnë në tregjet publike.
Rivali i saj kryesor, OpenAI, ka njoftuar gjithashtu synimin për të dalë në bursë, me listimin që, sipas një burimi të njohur me planet e kompanisë, pritet në fillim të vitit të ardhshëm.
Në dokumentet e saj, Anthropic pranon se zhvillimi i modeleve gjithnjë e më të avancuara kërkon investime të mëdha dhe se dështimi për të ruajtur epërsinë teknologjike mund të ndikojë negativisht në biznesin e saj.
Kompania thotë se synon të marrë vendime ambicioze, por të arsyeshme, duke fituar besimin përmes rezultateve konkrete.
Ndërkohë, kompanitë e teknologjisë kanë investuar shuma të mëdha në qendra të të dhënave dhe infrastrukturë për inteligjencën artificiale.
Sipas raportimit të BBC-së, investimet në këtë fushë kanë kaluar 1 trilion dollarë vetëm gjatë vitit të fundit, ndërsa shqetësimet për sigurinë dhe pasojat e mundshme të sistemeve autonome po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje.
