
Behgjet Pacolli ka sqaruar qëndrimin e tij prej shtatë orësh në SPAK.
Ai shkruan se ka paraqitur dokumente e fakte të asaj që ka ndodhur në Aeroportin e Vlorës. Ai shkruan në Facebook se beson ende te drejtësia në Shqipëri dhe se e drejta do vihet në vend.
“Deshmija dhe denoncimet e mija ne SPAK!
Sot pata mundësinë të paraqitesha për rreth 7 orë para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku paraqita në mënyrë të detajuar faktet, dokumentet dhe rrethanat e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. E vlerësoj këtë mundësi dhe jam i kënaqur që mundëm të sjellim përpara organit kompetent të vërtetën e plotë mbi ndërhyrjet e paligjshme në strukturën e pronësisë, shpërfilljen e vendimeve gjyqësore dhe cenimin e pronës private.
Nuk e kam humbur shpresën se në Shqipëri po bëhet drejtësi. Besoj se institucionet e drejtësisë do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe do të garantojnë respektimin e ligjit. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me SPAK dhe me çdo institucion kompetent, deri në sqarimin e plotë të së vërtetës dhe mbrojtjen e të drejtave tona ligjore. Askush nuk është mbi ligjin. Prona private dhe vendimet e gjykatave duhet të respektohen. Behgjet Pacolli.”