Gazetari i njohur gjerman Michael Martens, i ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, deklaroi se fajësimi i faktorëve të huaj për protestat dhe pakënaqësitë qytetare është një mekanizëm tipik i autokratëve për të shmangur përgjegjësinë për gabimet e tyre.
Duke komentuar zhvillimet politike dhe situatën demokratike në Shqipëri, Martens theksoi se lëvizjet qytetare burojnë nga vetë populli dhe nuk mund të shpjegohen duke ua atribuar organizimin apo nxitjen aktorëve të jashtëm.
‘Fajësimi i forcave të errëta është tipike e atyre regjimeve të cilat nuk duan të pranojnë gabimet e tyre dhe duan të shpërqendrojnë vëmendjen’, u shpreh gazetari gjerman.
Martens kundërshtoi deklaratat se protestat mund të jenë rezultat i ndërhyrjeve të huaja, duke theksuar se është vetë shoqëria ajo që vendos të kërkojë ndryshim kur pakënaqësia ndaj pushtetit arrin një pikë të caktuar.
‘Kemi dy diktatura që është Bjellorusia dhe Rusia në Evropë, kemi Turqinë, që është një sistem autokratik, ose në qoftë se doni mund ta quani dhe diktaturë, sepse futen në burg kundërshtarët politikë.
Por nga ana tjetër ka vende të vështira të cilat kanë mangësi të mëdha si Serbia, si Shqipëria, si Mali i Zi më përpara kur mbështetej Gjukanoviç. Megjithatë, ka shoqëri të cilat mund të sjellin një ndryshim dhe unë shpresoj që shoqëria të vazhdojë ta sjellë këtë ndryshim në Evropë.
Dhe në Evropë të vazhdojmë të kemi sisteme që edhe kur gjërat për disa vite mund të mos shkojnë mirë, shoqëritë të jenë të fuqishme demokratikisht dhe nëpërmjet zgjedhjeve të ndryshojnë fatet e tyre.
Është loja tipike e një autokrati. Vuçiç thoshte se Kroacia ose Gjermania ose forca të tjera janë mbrapa protestave kundër tij. Dhe kur e kam intervistuar një herë, i kam thënë: ‘A keni mundësinë që tani lexuesve të gazetës sime t'u thoni se kush është mbrapa këtyre protestave? Unë nuk do t'ju ndërpres, por do ta botoj përgjigjen tuaj. Më thoni konkretisht, kush qëndron mbrapa protestave ndaj jush?’.
Dhe në fakt nuk mora asnjë përgjigje. Sepse nuk ka asnjë institucion, nuk ka asnjë shërbim sekret që të jetë duke organizuar protestat në Beograd. Dhe do të ishte e palogjikshme të mendohej se institucione të jashtme mund të vënë në lëvizje miliona serbë që të votojnë në këtë apo në atë drejtim.
Janë vetë serbët të cilët vendosën se mjaft është mjaft... Dhe në shqip në fakt e di fjalën ‘mjaft’, sepse keni pasur dhe një organizatë të quajtur ‘Mjaft’ para shumë vitesh. Dhe kështu që njerëz vendosën që, tani mjafton, mjaft me kaq, dhe kjo nuk mund të instrumentalizohet nga të huajt.
Dhe tani populli shqiptar thotë të njëjtën gjë për institucionet e huaja. Por do të ishte qesharake ta thoshim këtë. Dhe nuk duhet të merret seriozisht, sepse vetë lëvizja ndodh prej popullit dhe fajësimi i forcave të errëta është tipike e atyre regjimeve të cilat nuk duan të pranojnë gabimet e tyre dhe duan të shpërqendrojnë vëmendjen.’, u shpreh gazetari gjerman, Michael Martes në SYRI TV.
© SYRI.net
'Mos më ngatërro me veten...' Aulon Kalaja replikon me Ballën për videon e 17 vjeçarit i cili u dhunua nga policia
VIDEO/ Gazetari gjerman: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk varet nga fakti nëse Rama është apo jo kryeministër
U godit nga policia me plumb gome në sy/ Demokratët Evropianë 'shuplakë' Ramës: Po bëni promovim politik në kurriz të Erjonit