Forcat amerikane në Lindjen e Mesme janë të gatshme të nisin operacione të reja ushtarake kundër Iranit brenda 96 orëve nga marrja e një urdhri nga presidenti Donald Trump. Sipas CNN, që citon dy zyrtarë amerikanë, planet parashikojnë mundësinë e një operacioni në shkallë të gjerë, që mund të përfshijë edhe objektet bërthamore iraniane.
Sipas burimeve, SHBA-ja ka dislokuar tashmë forca të mjaftueshme në rajon për të realizuar sulmet e mundshme. Operacioni mund të shkojë përtej goditjeve të kufizuara ndaj radarëve, sistemeve të lëshimit të raketave dhe pajisjeve të tjera ushtarake të Iranit.
Pentagoni dhe Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) po hartojnë një listë të gjerë objektivash, ku përfshihen infrastruktura energjetike, instalimet ushtarake dhe objektet bërthamore. “Do të jetë një operacion i madh”, citohet të ketë thënë një prej zyrtarëve amerikanë për CNN.
Megjithatë, presidenti Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar. Sipas burimeve të rrjetit amerikan, autorizimi mund të jepet deri në fund të vitit, ndërsa periudha pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, të planifikuara për 3 nëntor, është përmendur si një mundësi.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë raportimin. Një zyrtar i lartë i Pentagonit deklaroi se përgjegjësia e institucionit është të përgatisë dhe të zbatojë opsionet ushtarake që urdhërohen nga presidenti.
Frika nga kundërpërgjigjja iraniane
Sipas burimeve të njohura me vlerësimet e fundit të inteligjencës amerikane, Irani dhe rebelët Huthi në Jemen po e marrin seriozisht mundësinë e rifillimit të sulmeve amerikane dhe izraelite.
Në rast të një operacioni të ri, Teherani dhe Huthitë mund të kundërpërgjigjen duke goditur personelin dhe objektet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe potencialisht objektiva jashtë rajonit.
Një dokument i paklasifikuar i datës 23 tetor, të cilit i referohet CNN, evidenton shtimin e përpjekjeve iraniane për të shënjestruar personelin amerikan. Raporti përmend gjithashtu përpjekje që, sipas vlerësimeve të inteligjencës, kanë arritur faza të avancuara në Lindjen e Mesme dhe në disa vende të tjera.
Megjithatë, burimet theksojnë se inteligjenca amerikane nuk pret domosdoshmërisht që Irani dhe Huthitë të ndërmarrin sulme parandaluese në këtë fazë. Vlerësimi është se ata mund të reagojnë nëse Irani goditet fillimisht.
Në këtë klimë tensioni, SHBA-ja pritet të reduktojë praninë e personelit në disa prej ambasadave të saj në Lindjen e Mesme. Sipas CNN, personeli ushtarak jo thelbësor, i planifikuar të dërgohej në rajon në kuadër të rotacionit të radhës, është njoftuar se dislokimi i tij nuk do të kryhet.
Netanyahu kërkon sulme të reja, Uashingtoni kërkon koordinim
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po ushtron presion për ndërmarrjen e sulmeve të reja ndaj Iranit. Sipas burimeve të cituara nga CNN, zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar Izraelit të presë derisa administrata Trump të jetë e gatshme për një operacion të përbashkët.
Një burim izraelit i sigurisë i tha rrjetit amerikan se Netanyahu kishte kërkuar të bindte Trumpin për një sulm të përbashkët përpara zgjedhjeve amerikane. Zyra e kryeministrit izraelit i cilësoi këto pretendime si “lajme të rreme”.
Sipas raportimit, Izraeli kishte shqyrtuar mundësinë e goditjeve të tjera ndaj Iranit gjatë ditëve të fundit, por Uashingtoni kërkoi shtyrjen e tyre, duke lënë të hapur mundësinë e një operacioni të koordinuar pas zgjedhjeve.
Një prej arsyeve të përmendura nga burimet është nevoja e Izraelit për mbështetjen amerikane në mbrojtjen kundër raketave. Sipas tyre, rezervat izraelite të municioneve mbrojtëse janë vënë nën presion gjatë konfliktit.
Ndërkohë, në Izrael janë raportuar mosmarrëveshje për mënyrën dhe kohën e veprimit kundër Iranit. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka mohuar si të pavërteta disa raportime për përplasje brenda udhëheqjes izraelite lidhur me këtë çështje.
Ngushtica e Hormuzit, një tjetër pikë tensioni
Përshkallëzimi i mundshëm ushtarak lidhet edhe me situatën në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit global të naftës.
Komandanti i CENTCOM-it, admirali Brad Cooper, vizitoi zonën të dielën, ndërsa ushtria amerikane vazhdon bllokadën ndaj porteve iraniane dhe mbështet lëvizjen e anijeve tregtare në këtë rrugë detare.
Pavarësisht rritjes së numrit të cisternave që kalojnë nëpër ngushticë, çmimet e naftës mbeten të larta, pjesërisht për shkak të frikës nga sulme të mundshme iraniane.
Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga CNN, situata aktuale në këtë korridor detar nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Mungesa e një marrëveshjeje diplomatike mund të shtojë presionin ndaj administratës Trump për të marrë një vendim ushtarak.
Për momentin, nuk ka konfirmim se presidenti amerikan ka autorizuar një sulm të ri ndaj Iranit. Planet ushtarake janë në përgatitje, por vendimi përfundimtar mbetet në duart e Trumpit.


