Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Arlinda Zekajt, Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutë 14-pikëshe për mbrojtjen e grave


Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë 14-pikëshe në seancën e jashtëzakonshme të thirrur pas vrasjes së Arlinda Zekajt të dielën nga ish-kunati i saj. Rezoluta është votuar me 67 vota pro.

Në rezolutën 14-pikëshe përfshihet themelimi i një Komisioni Hetimor Parlamentar për zbardhjen e përgjegjësive institucionale, të veprimeve e mosveprimeve që i paraprinë vrasjes së Arlinda Zekajt. Hetimi parlamentar do të përfshijë të gjithë zinxhirin institucional përgjegjës për trajtimin e prandalimin e dhunës në familje, shkruan Koha.

Komisioni do të shqyrtojë trajtimin e denoncimeve, kërkesave për ndihmë e paralajmërimeve për rrezikun ndaj jetës së viktimës. Vlerësimin e rrezikut, masat e kërkuara, ato të shqiptuara dhe të zbatuara. Si dhe shkëmbimin e informacionit dhe bashkërendimin ndërinstitucional.

Themelimin e një linje këshilluese falas në gjithë vendin për çiftet dhe familjet që përballen me vështirësi ekonomike, sociale e psikologjike, sigurimin e shërbimeve të specializuara për parandalimin e sjelljes së dhunshme dhe përsëritjes së saj, këshillimin psikologjik e edukimin për parandalimin e dhunës në adoloshencë të hershme.

Themelimin e qendrave shtetërore për strehim dhe mbrojtje, duke përfshirë themelimin e një qendre shtetërore për strehimin e mbrojtjen e grave viktima të dhunës si dhe themelimin e një qendre të veçantë prë fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje për shkak të dhunës, abuzmit, neglizhimit apo rrethanave të rënda familjare.

Rishikimin e legjislacionit dhe transformimin e qendrave për punë sociale. Një rishikim i thelluar i legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e qendrave për punë sociale në nivel komunal.

Garantimi efektiv i ndihmës juridike falas për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës. Program kombëtar për parandalimi ne dhunës. Zbatimi ne një programi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar për parandalimin e dhunës, me theks të veçantë dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore.

Ndryshimi e plotësimi i legjislacionit për parandalimin e ndëshkimin e dhunës. Në këtë pikë përfshihet ndryshimi i ligjit për armët, duke u ndaluar personave të dënuar për dhunë në familje apo ndaj grave që të marrin leje për armë. Po ashtu ndryshimin e ligjit duke përcaktuar saktësinë e përkufizimit të dhunës ekonomike. Ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës duke përfshirë femicidin si vepër të veçantë penale. Ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës për përcaktimin e sanksionimit të veçantë të formave të dhunës në hapësirën digjitale.

Parandalimi i luftimit e dezinformimit me bazë gjinore. Themelimin e një njësie të specializuar të Policisë së Kosovës për hetimin, trajtimin e dhunës në hapësirën digjitale, me theks të veçantë ndaj grave e vajzave.

Themelimin e qendrave referuese për viktimat e dhunës seksuale.

Me rezolutë Kuvendi ngarkon Ministrinë e brendshme që përmes strukturave kompetente  të policisë të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë.

Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse qendrore e lokale. Përfshirë zbatimin policor të urdhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike.

Po ashtu me rezolutën Kuvendi kërkon që brenda 72 orëve të ardhshme të ndahen gjitha statistikat lidhur me rastet e dhunës në familje, të dhunës me bazë gjinore. Nga sistemi i drejtësisë me Ministrinë e Drejtësisë brenda një kohe të shkurtër të dilet me udhëzues të përbashkët për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Nga lajmërimi i parë deri te strehimi e mbrojtja.