Paris Saint-Germain është shpallur për të dytin vit radhazi “Klubi më i mirë i vitit” në ceremoninë e Topit të Artë, pas një sezoni të jashtëzakonshëm 2025-2026, në të cilin skuadra e drejtuar nga Luis Enrique fitoi pothuajse gjithçka.
Parizienët triumfuan përballë Arsenalit, Bayerni, Bodo/Glimt dhe Flamengos, duke përsëritur suksesin e vitit 2025. Në historikun e këtij çmimi, të ndarë që nga viti 2021, më parë janë vlerësuar Chelsea, Manchester City, Real Madrid dhe vetë PSG-ja.
Skuadra franceze fitoi kampionatin për të pestin sezon radhazi, Champions League, Superkupën e Francës, Superkupën e Evropës dhe Kupën Interkontinentale. I vetmi trofe që i mungoi ishte Kupa e Francës, e cila përfundoi në duart e Lensit, skuadrës që u rendit e dyta në kampionat.
Suksesi më i rëndësishëm ishte triumfi në Champions League, ku PSG-ja mposhti Arsenalin në finale pas ekzekutimit të penalltive. Me këtë fitore, skuadra e Luis Enrique u bë një nga të paktat që kanë arritur të fitojnë dy edicione radhazi të kompeticionit në formatin aktual. Më parë, këtë e kishte bërë Real Madridi i Zinedine Zidane, me tre triumfe radhazi nga viti 2016 deri në vitin 2018.
Një nga pikat e forta të PSG-së ishte shpërndarja e përgjegjësive në skuadër. Luis Enrique bëri rotacion të vazhdueshëm, ndërsa disa futbollistë kontribuuan ndjeshëm në sulm. Dembélé, Kvaratskhelia, Barcola dhe Doué kaluan secili shifrën e 10 golave në të gjitha kompeticionet.
Edhe lojtarë të tjerë patën ndikim të rëndësishëm në krijimin e rasteve dhe shënimin e golave. Vitinha regjistroi shtatë gola dhe dhjetë asistime, ndërsa Achraf Hakimi realizoi tre gola dhe nëntë asistime. Nuno Mendes, Mayulu dhe João Neves gjithashtu kontribuuan me gola dhe asistime.
Pas një sezoni me pesë trofe, PSG-ja synon të vazhdojë dominimin dhe të luftojë për një tjetër sukses në Evropë.
© SYRI.net
Barcelona shpallet sërish klubi më i mirë në botë në ceremoninë e Topit të Artë
Bukayo Saka fiton Trofeun ‘Sócrates’ për angazhimin humanitar
Cata Coll fiton Trofeun ‘Yashin’ si portierja më e mirë e sezonitBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: