Pas 3 dekadash në fuqi, qeveria vendos të ulë tatimin mbi vlerën e shtuar për produktet ushqimore. Që prej vitit 1996 zbatimi i TVSH-së ka qenë me normën standarde prej 20%, pa dallim për shportën ushqimore.

Por me ndryshimet që propozohen si pjesë e ‘Paketës Fiskale 2027’, qeveria synon për herë të parë ulje në 6%.

“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e produkteve ushqimore, si bukë dhe miell; qumësht dhe kos natyral; vezë; oriz; makarona; vaj ushqimor; mish pule; mish viçi/derri; peshk bazë; fruta të freskëta; perime të freskëta; bishtajore; sheqer; ushqime bazë për foshnja, është 6 për qind. Lista e detajuar e produkteve ushqimore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligjin që pritet të miratohet në qeveri.

Ulja është një kërkesë e përvitshme e opozitës në drejtim të qeverisë, por kjo e fundit e ka refuzuar me argumentin se është e vështirë të kontrollohet zbatimi efektiv që duhet të përcillet me ulje të çmimeve për qytetarët.

TVSH-ja është taksë fundore që paguhet për çdo produkt që blihet. Me këtë ulje të propozuar automatikisht çdo produkt ushqimor duhet të na kushtojë 14% më pak nga 2027-ta.

Por nëse për ushqimet që do të përfshihen në taksën e ulur të TVSH, do duhet të ketë një ulje të çmimit, të gjitha produktet e tjera, por dhe shërbimet, pritet të pësojnë një shtrenjtim. Sipas paketës fiskale, norma e përgjithshme e TVSH-së do të rritet me një pikë përqindje duke shkuar në 21 përqind.

Për të sjellë një shembull. (Nëse në një litër naftë që kushton 200 lekë, ne paguajmë 40 lekë TVSH, me këtë rritje do të paguajmë minimalisht 42 lekë).

Në ndryshimet që lidhen me TVSH, preket edhe turizmi, të cilit i reduktohen privilegjet. Për hotelet me 5 yje, agroturizmat dhe për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, nga 6% që ky tatim është në fuqi prej vitit 2019, propozohet të rritet në 10%.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:44
Paketa fiskale 2027/ Buxheti i shtetit do të fitojë 14 mld lekë (154 mln €) shtesë vetëm nga rritja e taksave për vitin që vjen

Paketa fiskale për vitin 2027 parashikon një efekt neto pozitiv prej rreth 14 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit, ose me rreth 154 milionë euro. Sipas përllogaritjeve të paraqitura në relacionet që shoqërojnë ligjet e paketës fiskale, të ardhurat shtesë pritet të vijnë nga disa ndryshime në sistemin tatimor, ndërsa ulja e TVSH-së për ushqimet parashikohet të sjellë një efekt negativ në të ardhurat buxhetore.

Rritja e TVSH-së së përgjithshme nga 20% në 21% ka një efekt pozitiv për buxhetin e shtetit prej 10.6 miliardë lekë, gjithashtu edhe rritja e TVSH-së nga 6 në 10% për industrinë turistike do të sjellë rritje me +614 milionë lekë. Por ndërkohë ulja e TVSH-së për produktet ushqimore nga 20% në 6% nga 2027-ta, do të ketë një efekt negativ në buxhet prej 12.8 miliardë lekësh, duke bërë që në tërësi efekti të jetë negativ prej -1.6 miliardë lekë.

Ndërkohë ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, që parashikon skemë të re tatimi mbi pagat duke futur edhe normën prej 32% për rrogat mbi 700 mijë lekë në muaj, rritja e dividendit nga 8% në 15% apo e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, do ti sjellin buxhetit të shtetit vitin që vjen 7 miliardë lekë shtesë.

EFEKTI NË BUXHET I PAKETËS FISKALE 2027
Tatimi mbi të ardhurat               +7 mld lekë
Ligji për akcizat                      +4.1 mld lekë
Pragu i TVSH-së                     +4.5 mld lekë
TVSH 21%                            +10.6 mld lekë
TVSH 6% ushqimet               -12.8 mld lekë
TVSH për turizëm                  +614 mln lekë
FATURA TOTALE                 +14 mld lekë (154 mln euro)

Nga ana tjetër ulja e pragut të TVSH-së nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë pritet të shtojë me 17 mijë numrin e bizneseve që do të paguajnë 21% TVSH nga viti i ardhshëm. Në total nga ky ndryshim do të arkëtohen 4.5 miliardë lekë. Njëkohësisht kalendari i akcizës për duhanin që do të vijojë të rritet do të sjellë 4.1 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhet vitin tjetër.

Në total fatura pozitive në buxhetin e vitit 2027 përllogaritet në afërsisht 14 miliardë lekë, ose afro 154 milionë euro.

Ora 11:13
Qeveria rrit tatimin për dividendin në 15%, shton me 2% edhe tatimin mbi të ardhurat e korporatave

1793096152_dtycufto.JPG

Pas 8 vitesh në fuqi qeveria ka vendosur të rrisë dividentin për bizneset.

Nga 8% që u vendos me paketën fiskale të vitit 2019, qeveria e rrit përsëri në 15% me paketën fiskale të 2027-ës.

Dividendi është pjesa e fitimit neto që një shoqëri aksionare ose biznes u shpërndan aksionarëve ose ortakëve të saj, në përputhje me kapitalin që ata zotërojnë dhe pas vendimit të asamblesë së përgjithshme.

Gjithashtu vendos të rrisë tatimin mbi të ardhurat për korporatat nga 15% aktualisht në 17% prej vitit që vjen.

“Norma e tatimit mbi të ardhurat e korporatave është 17%. Norma tatimore për dividendët është 15%, pa zbritur asnjë kosto”, thuhet në nenin 41 që ndryshohet.

Ora 10:53
Ndryshon tatimi mbi pagat/ Për herë të parë normë 32% për të ardhurat mbi 8 mln lekë në vit! Ulet barra për shtresën e mesme

1793094917_dudtyu.JPG

Ai që merr më shumë tatohet më shumë. Ky parim i politikës progresive theksohet edhe më shumë në ndryshimet që do të pësojë ligji për tatimin mbi të ardhurat.

Qeveria parashikon që për herë të parë të shtohet një fashë e re pagash që do të tatohet me 32%, dhe që janë të ardhurat mbi 8.04 milionë lekë në vit. Praktikisht çdo individ që merr pagë mbi 700 mijë lekë do të tatohet me 32% prej vitit që vjen.

“Nga kjo masë ndikohen drejtpërdrejt rreth 1 293 punonjës, të cilëve u rritet tatimi me 9% (nga 23% në 32%) për të ardhurat bruto mujore mbi 700 000 lekë.  Kjo masë ka një efekt pozitiv për buxhetin prej 0,97 miliardë lekë”, thuhet në relacion.

Ndërkohë tek shtresa e mesme ka ulje të barrës tatimore. Pagat nga mbi 60 mijë lekë deri në 300 mijë lekë do të tatohen me 13%, deri më tani pagat nga 60-200 mijë lekë ishin pjesë e kësaj fashe tatimore.

Ndërsa tatimin 23% tashmë do ta paguajnë ata që kanë pagat nga mbi 300 mijë lekë deri në 700 mijë lekë. kurse aktualisht këtë normë tatimore e paguajnë ata që kanë rroga nën 200 mijë lekë.

“Rritja e pragut të aplikimit të normës 23% nga 200 000 në 300 000 lekë/muaj synon të lehtësojë barrën tatimore mbi punën e kualifikuar dhe profesionistët e shtresës së mesme, të cilët për shkak të rritjes nominale të pagave kishin kaluar në fashën 23%. Nga kjo masë përfitojnë drejtpërdrejt rreth 25 704 punonjës, të cilëve u ulet tatimi mbi pagën dhe u rriten të ardhurat neto”, thuhet në relacion.

Të pandryshuara mbeten vetëm dy fasha pagash. Do të vijojnë të mbeten të patatuara pagat deri në 50 mijë lekë, që është minimalja. Ndërsa për ato deri në 60 mijë lekë në muaj tatimi do të jetë 13% por vetëm për një pjesë të pagës prej 35 mijë lekësh.

Ndërkohë nga bizneset më herët i është kërkuar qeverisë që pagat deri në 60 mijë lekë të përjashtohen nga tatimi, pasi konsiderohen rroga të ulta.

Qeveria argumenton se kjo mënyrë e tatimit të pagave do t’u lë më shumë para në xhep qytetarëve, dhe se në buxhet do të ketë efekt negativ në të ardhurat që pritet të mblidhen nga ky tatim me rreth 1.1 miliardë lekë.

Ora 10:23
Bizneset me xhiro mbi 5 mln lekë do të paguajnë TVSH! Qeveria i kishte përjashtuar nga TVSH-ja deri në 2029-ën subjektet me qarkullim deri 10 mln lekë

Nga janari i vitit 2021 bizneset me xhiro deri 10 milionë lekë në vit nuk kanë paguar TVSH. Premtim që u materializua në ligj dhe që u premtua se do të zgjaste deri në 2029-ën. Por qeveria bën një hap pas dhe vendos që ta ulë pragun nga 10 milionë në 5 milionë lekë në vit. Kjo do të thotë se nga viti i ardhshëm të gjitha bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë do të paguajnë TVSH-në prej 21%.

“Krahasuar me vendet e rajonit dhe me vendet anëtare në Bashkimin Evropian, aktualisht vendi ynë aplikon një kufi minimal të regjistrimit për TVSH-në prej 10 milionë lekë në vit, ose rreth 108, 696 euro, që është ndjeshëm më lartë sesa kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në në këto vende. Në tabelën e mëposhtme paraqitet kufiri minimal regjistrimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe disa vende të BE-së”, thuhet në relacionin projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, “për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, ‘për tatimin mbi vlerën e shtuar në republikën e shqipërisë’, të ndryshuar”.

Nga kjo ulje e pragut preken 17.516 tatimpagues që do të futen në skemën e TVSH-së, e praktikisht do të paguajnë tatim.

“Përfshirja e subjekteve në regjimin normal të TVSH-së mundëson deklarimin e transaksioneve të shitjeve dhe blerjeve nga të gjitha palët e përfshira në transaksion, duke mundësuar gjithashtu kryqëzimin e këtij informacioni në funksion të mirëadministrimit të tatimit. Ndërkohë, në përcaktimin e kufirit minimal të regjistrimit për TVSH-në prej 5 (pesë) milion lekë, është mbajtur në konsideratë fakti se, ky kufi përjashton ato biznese që janë kryesisht biznese familjare dhe me të vetëpunësuar të vetëm”, thuhet në relacion.

Nga kjo ndërhyrje buxheti i shtetit pritet të përfitojë 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë.