28-vjeçar nga Elbasani, Erjon Vishkulli ka ndarë një mesazh në rrjetet sociale, teksa ndodhet në Itali, ku pritet të bëjë një ndërhyrjeje kirurgjikale në sy, pas asaj që kreu më herët në Shqipëri.
“Zoti do të krijojë lehtësim pas vështirësive”, shkruhet në story-n e publikuar në Instagram, të cilën e ka shoqëruar me një fotografi të vetën nga Italia.
I riu nga Elbasani u lëndua në sy gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, ku raportohet se gjendja e tij është më e stabilizuar, ndërsa mjekët kanë dhënë shpresa pozitive për rikuperimin e syrit.
Ngjarja ndodhi gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa në sfond dëgjohen shpërthimet e fishekzjarrëve dhe thirrjet e protestuesve që kërkojnë ambulancën për të ndihmuar të plagosurin.
Vishkulli u transportua fillimisht në Spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe më pas u dërgua në Itali për trajtim të specializuar.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Përmes një letërporosie drejtuar autoriteteve italiane, ajo ka kërkuar sekuestrimin e objektit që pritet të nxirret nga syri i 28-vjeçarit, për t’iu nënshtruar më pas ekspertizës.
Hetimet përfshijnë edhe veprimet e efektivëve të policisë, me qëllim verifikimin nëse gjatë ndërhyrjes ndaj protestuesve është përdorur forcë përtej kufijve të lejuar.












