Tre persona të maskuar dhe me dorëza kanë hyrë në një objekt në fshatin Magure të Lipjanit, ku njëri prej tyre e ka kërcënuar me armë zjarri punëtorin e sigurimit.


Rasti ka ndodhur më 26 tetor, rreth orës 02:11, kur punëtori i sigurimit, mashkull kosovar, ka njoftuar Policinë se gjatë punës kishte vërejtur tre persona të dyshuar, të cilët kishin maska dhe dorëza.

Sipas raportit të Policisë, njëri nga personat e dyshuar kishte një pistoletë në dorë, të cilën ia kishte drejtuar punëtorit të sigurimit, duke i kërkuar që të largohej nga vendi i ngjarjes.

Pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Në konsultim me prokurorin, rasti është iniciuar si “Grabitje”.

Deri më tani, në raportin policor nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me identitetin e personave të dyshuar, nëse nga objekti është vjedhur ndonjë pasuri apo nëse ka persona të arrestuar.

Rasti mbetet nën hetime nga organet kompetente. /Telegrafi/