Pacolli për 7 orë në SPAK, rrëfen detaje për kontratën e Aeroportit VIA dhe kërkon hetimin e zyrtarëve të QKB-së
WebLajm.com mëson se Pacolli ka kërkuar ndjekjen penale të zyrtarëve të QKB-së për regjistrimin e tjetërsimit të aksioneve mes Valon Lukës dhe Valon Ademit. Ndërkohë, për kredinë mbi 50 milionë euro, ai i është drejtuar arbitrazhit në Londër, ku është vendosur pezullimi i ekzekutimit të kolateraleve nga BKT deri në zgjidhjen e konfliktit juridik mes aksionarëve të VIA-s.
Pacolli qëndroi për rreth 7 orë në ambientet e SPAK-ut, ku, sipas informacioneve të siguruara nga WebLajm.com, ka rrëfyer në detaje procesin, nga ideja fillestare deri te realizimi i kontratës me shtetin për Aeroportin VIA.
Gjatë qëndrimit në SPAK, Pacolli ka kërkuar edhe ndjekjen penale të zyrtarëve të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), të cilët kanë regjistruar tjetërsimin e aksioneve mes Valon Lukës dhe Valon Ademit.
Valon Luka është arrestuar pak ditë më parë në Kosovë, pas kallëzimit penal të bërë ndaj tij nga Pacolli, për veprat e pretenduara të falsifikimit dhe mashtrimit.
Konflikti për kredinë mbi 50 milionë euro
Një tjetër çështje që lidhet me konfliktin rreth Aeroportit VIA është ajo e kredisë me vlerë mbi 50 milionë euro. WebLajm.com mëson se Pacolli ka kërkuar ndërhyrjen e arbitrazhit në Londër për të bllokuar ekzekutimin e kolateraleve nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT).
Banka ka kërkuar të marrë pronat e lëna nga Pacolli si kolateral, në kuadër të mosshlyerjes së kredisë.
Për këtë çështje, Pacolli i është drejtuar arbitrazhit në Londër, ku, sipas informacioneve të siguruara nga WebLajm.com, është vendosur që BKT të mos ekzekutojë asnjë kolateral deri në zgjidhjen e konfliktit juridik mes aksionarëve të Aeroportit VIA.
Prania e Pacollit në SPAK ka dhënë edhe efektet e para. Ai kallëzoi zyrtarët e QKR-së, ndërsa po dje ky institucion i ka kthyer atij aksionet në vlerën e 98 % të VIA.



