
Parlamenti i Egjiptit ka autorizuar të hënën presidentin Abdel Fattah el-Sisi të ndërmarrë masat e nevojshme për të mbështetur ushtarakisht Arabinë Saudite në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të saj nga sulmet e rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani, përcjell AP News.
Në një deklaratë, parlamenti bëri të ditur se votimi i jep kreut të shtetit mandatin për të ofruar mbështetjen e nevojshme ndaj asaj që e cilësoi si agresion të jashtëm. Megjithatë, nuk u publikuan hollësi mbi votimin, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura.
Sipas një zyrtari rajonal të informuar mbi çështjen, Egjipti pritet të dërgojë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe avionë për të ndihmuar në neutralizimin e raketave dhe dronëve të lëshuar drejt Arabisë Saudite. Burimi, i cili foli në kushte anonimiteti, theksoi se mbështetja do të jetë mbrojtëse dhe nuk do të përfshijë dërgimin e trupave tokësore egjiptiane në Jemen.
Vendimi ishte parashikuar të merrej javën e kaluar, por u shty pas dy ditësh diskutimesh. Sipas raportimit, një pjesë e qytetarëve egjiptianë kanë shprehur shqetësime për përfshirjen e vendit në konfliktin e zgjatur në Jemen. Për shkak se debatet parlamentare nuk ishin publike, nuk dihen hollësitë e diskutimeve.
Në fillim të këtij muaji, Këshilli Kombëtar i Mbrojtjes i Egjiptit, i drejtuar nga Sisi, u zotua të ofrojë “të gjitha format e nevojshme dhe të mundshme të mbështetjes” për Arabinë Saudite, me qëllim mbrojtjen e sigurisë, stabilitetit, integritetit territorial dhe vendeve të shenjta islame. Në të njëjtën kohë, këshilli deklaroi se Egjipti do të shtojë përpjekjet diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin.
Sisi kishte deklaruar më herët se Egjipti do të ndërmarrë çdo masë për të mbrojtur Arabinë Saudite, duke sqaruar se bëhet fjalë për mbrojtje dhe jo për sulme ndaj palëve të tjera.
Arabia Saudite është një nga mbështetësit kryesorë financiarë të Egjiptit, me miliarda dollarë ndihma dhe investime, veçanërisht që prej ardhjes së Sisit në pushtet në vitin 2013. Edhe dërgesat financiare nga shtetasit egjiptianë që punojnë në Arabinë Saudite përbëjnë një burim të rëndësishëm të valutës së huaj për vendin.
Megjithatë, jo të gjitha forcat parlamentare e mbështetën procesin pa rezerva. Partia Socialdemokrate Egjiptiane njoftoi se 11 deputetët e grupit të saj do të abstenonin, duke argumentuar se mungonin të dhëna të mjaftueshme për objektivat, shtrirjen, kohëzgjatjen dhe kostot e misionit, si dhe për rreziqet ndaj ushtarakëve egjiptianë. Partia kërkoi që diplomacia të ketë përparësi për të shmangur përfshirjen në angazhime ushtarake pa një afat të qartë.