Hyn në fuqi armëpushimi në Oleshky/Zonja e Parë e SHBA-së ndërmjetësoi ndaljen e luftimeve për arsye humanitare

Moska dhe Kievi bënë të ditur se do të respektojnë armëpushimin humanitar në qytetin ukrainas të pushtuar nga Rusia, i cili hyri në fuqi pas mesnate.
“Lidhur me operacionin humanitar në zonën e Oleshky-t në rajonin e Kherson-it, forcat ruse kanë ndalur luftimet”- njoftoi të martën Ministria ruse e Mbrojtjes. Ukraina tha se edhe ajo po përmbushte angazhimet ndaj armëpushimit.
Duke njoftuar të premten e kaluar ndërmjetësimin e armëpushimit, Melania Trump tha se zyrtarët civilë nga Rusia dhe Ukraina do të vizitojnë banorët në shtëpitë e tyre dhe do të përcaktojnë nivelin e ndihmës që u nevojitet.
“Banorët që dëshirojnë të evakuohen do të marrin mbështetje dhe transport të koordinuar drejt destinacionit që dëshirojnë, pasi disa mund të duan të shkojnë në Rusi dhe disa të tjerë në Ukrainë”- u shpreh ajo.
Megjithatë asnjë nga palët nuk kanë thënë se kush do ta monitorojë armëpushimin dhe as nuk kanë dhënë detaje rreth kohëzgjatjes së operacionit humanitar në qytetin e shkatërruar nga lufta. Armëpushimi, i cili zbatohet në një zonë të kufizuar, vjen ndërsa lufta në Ukrainë po kalon vitin e saj të pestë.
Qyteti, në bregun jugor të lumit Dnieper, u pushtua nga trupat ruse në vitin 2022. Ndërkohë Kievi vazhdon të jetë objektiv i sulmeve ruse. Të martën forcat ajrore ukrainase paralajmëruan për raketa balistike të lëshuara drejt kryeqytetit. Kryebashkiaku Vitaly Klitschko tha se një sulm goditi Urën Jugore, një nga urat kryesore të Kievit, dhe dëmtoi infrastrukturën e metrosë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




