Bashkimi Europian do të vendosë nga 1 nëntori një tarifë prej dy eurosh për çdo pako që dërgohet nga vendet jashtë unionit drejt konsumatorëve europianë. Masa synon të kufizojë fluksin e madh të dërgesave me vlerë të ulët, veçanërisht nga Kina, dhe të mbulojë kostot që përballojnë autoritetet doganore.
Tarifa e re vjen në prag të sezonit të blerjeve për Black Friday, Cyber Monday dhe festat e fundvitit. Sipas rregullave të reja, tarifa prej dy eurosh do të zbatohet për çdo lloj produkti të përfshirë në një pako, pavarësisht vlerës së saj. Për shembull, nëse një dërgesë përmban 10 bluza, tarifa do të jetë dy euro. Nëse në të njëjtën pako ka dy kapele dhe 10 bluza, tarifa do të arrijë në katër euro.
Kjo masë do të zbatohet krahas tarifës doganore prej tre eurosh, të vendosur në korrik për pakot e vogla me vlerë më të ulët se 150 euro.
Sipas Bashkimit Europian, konsumatorët nuk do të jenë ata që do ta paguajnë drejtpërdrejt tarifën e trajtimit. Detyrimi do të rëndojë mbi platformat e tregtisë elektronike, shitësit dhe ndërmjetësit e tjerë që dërgojnë mallra nga jashtë unionit.
Mes platformave që mund të preken nga masa janë Amazon, AliExpress dhe Temu. Megjithatë, edhe pse tarifa nuk u ngarkohet drejtpërdrejt blerësve, platformat dhe shitësit mund të rrisin çmimet e produkteve për të kompensuar kostot shtesë. Kjo do të thotë se konsumatorët mund të përballen me çmime më të larta për blerjet online.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar në Bashkimin Europian hynë afro gjashtë miliardë pako të vogla. Rreth 93% e dërgesave me çmime të ulëta vinin nga Kina, kryesisht përmes platformave të njohura aziatike si AliExpress dhe Temu.
Brukseli argumenton se rritja e vazhdueshme e këtyre dërgesave po shton ngarkesën mbi administratat doganore dhe po rrit kostot e kontrollit të mallrave, ndaj tarifa e re synon të kompensojë shpenzimet që lidhen me përpunimin e tyre.
Një tjetër shqetësim i BE-së lidhet me hyrjen në tregun europian të produkteve të pasigurta nga vende jashtë unionit, përfshirë lodra që nuk përmbushin standardet dhe rregullat e kërkuara.
Që nga vendosja e tarifës doganore prej tre eurosh për pakot e vogla në korrik, importet kanë rënë me rreth 64%. Megjithatë, zyrtarët evropianë paralajmërojnë se është ende herët për të nxjerrë përfundime përfundimtare mbi ndikimin e kësaj mase.
Tarifa e re prej dy eurosh do të jetë e përhershme, ndërsa detyrimi doganor prej tre eurosh për pakot me vlerë të ulët është një masë e përkohshme, e parashikuar të zbatohet deri më 1 korrik 2028.
Pas kësaj date, do të hyjnë në fuqi tarifat e zakonshme doganore, të përcaktuara sipas llojit të produktit. Sakaq, BE-ja do të duhet ta rishikojë shumën e tarifës së trajtimit çdo dy vjet, për të garantuar që ajo të jetë në përpjesëtim me kostot e operacioneve doganore.