
Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve ka sjellë përplasje edhe në Komisionin e Ligjeve, ku deputeti demokrat Oerd Bylykbashi kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe vetëshpërndarjen e Kuvendit. Përfaqësuesi socialist Ulsi Manja iu përgjigj me ironi, duke i thënë opozitës të vazhdojë të shohë ëndrra.
Gjatë mbledhjes së kësaj të marte, në ditën e 15-të të protestave kundër qeverisë, Bylykbashi akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim joproporcional të forcës ndaj protestuesve. Ai pretendoi se qindra qytetarë kishin pasur nevojë për ndihmë mjekësore pas ndërhyrjeve të policisë dhe përdorimit të plumbave të gomës.
Deputeti i PD-së kërkoi hetim për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit, si dhe largimin e efektivëve që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve. Ai e cilësoi arrestimin e protestuesve si një mjet intimidimi dhe akuzoi policinë për ndjekjen dhe goditjen e tyre edhe në rrugicat pranë zonave të protestës.
Bylykbashi iu drejtua më pas deputetëve të mazhorancës, duke u kërkuar të mos miratojnë paketën e masave ndëshkuese që pritet të shqyrtohet në Kuvend. Sipas tij, protestuesit kanë dy kërkesa kryesore: largimin e Ramës nga detyra dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
“Kuvendi ka detyrimin moral të vetëshpërndahet. Mos u bëni me atë bandit, nëse Kuvendi nuk shpërndahet, turpi do të jetë i juaji”, deklaroi deputeti demokrat.
Deklaratat e tij u kundërshtuan nga Ulsi Manja, i cili akuzoi opozitën se nuk distancohet nga aktet e dhunës dhe mbron personat që, sipas tij, janë përfshirë në incidente në selinë e PD-së.
“Vazhdoni të shihni ëndrra, por kur dilni te Lana, vishuni me plastmas”, u shpreh Manja. Ai shtoi se dhuna duhet të dënohet pavarësisht se nga cila palë ushtrohet, ndërsa theksoi se çdo rast i tejkalimit të kompetencave nga policia duhet të hetohet.
Në nisje të mbledhjes, deputetët demokratë braktisën komisionin, në vijim të qëndrimit të tyre kundërshtues ndaj punimeve parlamentare. Pavarësisht largimit të opozitës, Manja njoftoi se Komisioni i Ligjeve do të vijonte shqyrtimin e çështjeve të rendit të ditës, përfshirë nismat që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.