Një histori frymëzuese vjen nga qyteti i Fierit. 66-vjeçarja Florika Boduri rrëfen per Report tv betejën 4-vjecare me kancerin e gjirit. Zbulimi i sëmundjes e përballi atë me një nga sprovat më të vështira të jetës, por mbështetja e pakushtëzuar e familjes dhe përkushtimi i mjekëve i dhanë forcën për ta mposhtur atë.
Para 4 vitesh, Florika Boduri kreu një vizitë rutinë, ku mjekët konstatuan masën tumorale.
Pas shokut të parë psikologjik, mbështetja e 3 djemve, bashkëshortit dhe motrës iu kthye në forcë, duke iu nënshtruar pa frikë operacionit në Tiranë për heqjen e njërit gji.
"Kur bëri ekon, mbasi mbaroi më tha që ke një masë... Ka qenë një moment shumë tronditës për mua, por menjëherë e mora veten. Pavarësisht se çfarë ndjeva në vetvete, nuk e dhashë veten para familjes, fëmijëve dhe burrit. Përjetova mbështetjen që më dha familja dhe motra ime që më qëndroi pranë në çdo moment. Kjo ishte pika e parë që unë nuk e ndjeva veten vetëm." thotë ajo.
66-vjecarja tregon per Report tv se më pas kreu 8 seanca kimioterapie ne spitalin e Fierit, të cilat i dobësuan ndjeshëm imunitetin dhe solllën rënien e flokëve.
"Ishte fat për mua që kimiot filluan menjëherë këtu në Fier dhe unë këtu i kam bërë 8 seanca. Ishte një goxha ndihmë dhe shkurtim rruge, falë dhe përkujdesjes së stafit mjekësor. Kur filloi rënia e flokut u trondita pak dhe nuk e përjetova mirë, por prapë e mblodha veten e thashë: 'Si flokët janë të gjitha gjërat, vetëm jeta ime të shpëtojë' thotë ajo
Përballja me sëmundjen ishte periudhë e vështirë, por Florika nuk e humbi për asnjë moment vendosmërinë dhe besimin për ta mposhtur atë.
"Përsëri forcat i kisha me besimin se unë do ta fitoja këtë betejë dhe e fitova. Nuk kam ndenjur duarkryq, kam qenë gjithmonë në lëvizje, me lexime e stërvitje, si dhe me mbështetjen e shoqërisë e besimit që më dha durim e paqe." thotw ajo.
Vizitat dhe kontrollet rutinë tashmë Florika i kryen rregullisht çdo 6 muaj, ndërsa ndihet e lumtur që e fitoi këtë betejë sfilitëse. Pikërisht tani jeta e saj ka marrë më shumë kuptim dhe vlerë.
"Nëse dikush do më pyesë se në cilën moshë ti ke qenë më e lumtur, unë them tani jam e lumtur. Mbas kësaj beteje kam një jetë më me vlerë, më të kuptueshme dhe me plot ngjyra."
Për 66-vjeçaren nga Fieri, ndjekja e këshillave mjekësore dhe terapise vazhdon te mbetet prioritet.
"Ajo është betejë e fituar, por duke qëndruar gjithmonë në alert për të bërë kontrolle, analiza, kurat e caktuara dhe të gjitha këshillat e mjekut."










Komente
Komento