Protestat dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama u bënë temë debati edhe në komisionet parlamentare. Ndërsa mazhoranca vijoi shqyrtimin e projektligjeve, deputetët e opozitës e përqendruan pjesëmarrjen e tyre te zhvillimet në rrugë, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe zgjedhje të reja. Nga ana tjetër, drejtuesit socialistë të komisioneve kërkuan që opozita të dënojë sulmet ndaj policëve dhe të distancohet nga personat me maska që kanë përdorur molotovë gjatë protestave.

Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, deputetja demokrate Albana Vokshi deklaroi se PD mbështet protestuesit dhe kërkesat e tyre. Ajo akuzoi mazhorancën për lidhje me krimin e organizuar, manipulim të zgjedhjeve dhe mbrojtje të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion

“Ne si grup parlamentar i PD, opozita në parlament dhe jashtë parlamentit i mbështesim pa ekuivok dhe jemi në krah të studentëve, të nxënësve e qytetarëve që ngrihen për një Shqipëri më të mirë, për një qeveri transparente, për një shtet ligjor ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. T’i dëgjojmë çfarë kërkojnë qytetarët: të shkrihet parlamenti dhe zgjedhje të lira e të ndershme, një qeveri tranzitore, votë të lirë, të ndershme e të barabartë. Asnjëri nuk distancohet nga dhuna kur keni dëgjuar drejtuesit e policisë që japin urdhëra ‘mos kurseni asnjë’. Si mund të hyjmë në BE kur drejtuesit e policisë mbrojnë karrigen e një njeriu të vetëm. Sa të rinj duhet të plagosen që të reagoni apo kërkoni viktima? 21 Janarin e bëtë ju. E bëri Edi Rama. Heshtni, dëgjoni qytetarët. Janë mbi 200 raste dhune të depozituara” ”, deklaroi deputetja e PD-së.

Kreu socialist i komisionit, Igli Hasani, iu përgjigj se Kuvendi është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe se opozita nuk mund të kërkojë shpërndarjen e tij vetëm sepse nuk e njeh rezultatin politik.

“Të gjithë përfaqësuesit e popullit në këtë Kuvend janë zgjedhur në mënyrë të lirë dhe demokratike, ashtu si dhe ju të PD-së dhe ne të PS-së përfaqësojmë elektoratin tonë. Thirrjeve për shpërndarje të parlamentit ne nuk kemi pse t’i përgjigjemi. Nëse dëshironi të hiqni dorë nga mandatet, bëjeni”, tha Hasani.

Debati ishte edhe më i gjatë në Komisionin për Çështjet e Brendshme, ku deputeti demokrat Isuf Çelaj kërkoi praninë e ministrit të Brendshëm për të dhënë shpjegime mbi veprimet e policisë gjatë protestave.

“Ministri i Brendshëm duhej të ishte në komision, të jepte hesap për dhunën ndaj të miturve, qytetarëve, të cilët janë sulmuar tej mase me gaz lotsjellës, deri në thyerje gjymtyrësh, goditje me plumba plastikë në pjesën e sipërme të trupit”, deklaroi Çelaj.

Ai kërkoi dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore dhe shpërndarjen e parlamentit.

“Nuk mund të rrimë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk e quaj normale që të bëni mbledhje sikur nuk ka ndodhur asgjë”, tha deputeti demokrat.

Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili kërkoi që qeveria të japë llogari para Kuvendit dhe e cilësoi dorëheqjen si një rrugë për zgjidhjen e situatës.

“Zgjidhja politike që kërkojnë qytetarët fillon me dorëheqjen e qeverisë. Dorëheqja nuk është mëkat, është përgjegjësi, reflektim në raport me situatën”, tha Mediu.

Kreu socialist i komisionit, Bledi Çuçi, i kundërshtoi qëndrimet e opozitës, duke theksuar se përpara debatit për përgjegjësitë e policisë duhet të dënohet dhuna e ushtruar ndaj efektivëve.

“Do të ishte e sinqertë nga ju thirrja për të reflektuar nëse do ta fillonit me një qëndrim që duhet ta mbajmë të gjithë bashkë, që lidhet me dhunën që është ushtruar ndaj policisë, dhunë brutale, jo thjesht ndaj individëve të veshur me uniformë, por dhunë ndaj institucioneve kushtetuese të Shqipërisë”, tha Çuçi.

Ai bëri dallimin mes protestës paqësore dhe personave që përdorin mjete të dhunshme, duke kërkuar ndëshkimin e këtyre të fundit.

“Ka një ndryshim shumë të madh midis maskave me molotovë në dorë dhe policit me uniformë. Polici me uniformë vepron në bazë të ligjit dhe detyrimeve që krijon korpusi ligjor për atë që vesh uniformën. Përgjegjësia që ai mban, personale, është subjekt i një hetimi në bazë të strukturave të ngritura me ligj”, deklaroi Çuçi.

Sipas tij, edhe rastet kur efektivët tejkalojnë kompetencat duhet të hetohen, por kjo nuk mund të përdoret për të justifikuar sulmet ndaj policisë dhe institucioneve.

“Protesta është e ligjshme, por dhuna e vandalizmi janë të patolerueshme”, theksoi Çuçi, duke shtuar se opozita duhej të shprehte të paktën solidaritet me policët e lënduar.

Mediu u përgjigj se është kundër çdo forme dhune, pavarësisht se nga kush ushtrohet.

“Dhuna nuk është çështje numrash, dhuna është shkelje ligji nga kushdo krah që vjen, por sidomos nga ato struktura që janë betuar mbi ligjin për të mbrojtur qytetarin, dhe jo pushtetin”, tha ai.

“Prapë nuk dëgjova një lloj solidariteti për ata policë që janë djegur me molotovë, që janë gjendur në breshëri dhune të paparë ndonjëherë, gurësh e lloj-lloj mjetesh piroteknike. Këtu fillon sinqeriteti”, replikoi Çuçi

Pas këtij shkëmbimi, dy deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja e komisionit.

Debate për protestat pati edhe në Komisionin e Bujqësisë, ku deputeti demokrat Xhelal Mziu e përshkroi situatën në vend si një “gjendje lufte” dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit.

“Studentët kanë një kërkesë, dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie teknike”, tha Mziu.

Kreu socialist i komisionit, Blendi Klosi, i kujtoi opozitës se debatet politike mund të zhvillohen në seancën plenare, ndërsa puna për projektligjet duhet të vazhdojë.

“Diskutimet politike do të jenë pasnesër në seancë. Ne do të jemi këtu të përgjegjshëm për të vijuar legjislacionin e nevojshëm në kuadër të integrimit. Do të kishim dëshirë të dëgjonim dhe oponencën tuaj për këto ligje, por ky është vendimi juaj politik”, tha Klosi.

Lajm në përditësim  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:23
Protestat/ Aliolli largohet nga Komisioni i Ekonomisë: Do jemi në shesh me studentët! Braçe: Të gatshëm t'i dëgjojmë por jo ata që ushtrojnë dhunë! (VIDEO)

 

Protestat shkaktuan debat edhe në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ku deputetja demokrate Ledina Aliolli kundërshtoi vijimin normal të mbledhjes dhe ngriti shqetësimin për dhunën ndaj protestuesve.

“Mbledhja nuk mund të ketë një rend dite normale, duke ditur që jashtë kësaj salle ka të rinj që protestojnë për të drejtën e tyre. Nga ana tjetër, ata dhunohen. Konkretisht kemi rastin e djalit nga Elbasani, Erjon Vishkulli, i cili sot po lufton për veten e tij, sepse është në rrezik të humbasë shikimin. Ata po luftojnë për të drejtën e tyre dhe kundër modelit që ka ndërtuar Edi Rama”, deklaroi Aliolli, duke u larguar më pas.

Nënkryetari socialist Erion Braçe nga ana e tij dënoi aktet e dhunës dhe insistoi se mazhoranca mbetet e hapur për dialog

“Prej 15 ditësh ka protesta në Tiranë, madje më shumë se 15 ditë. Diferenca është që protestat e këtyre 15 ditëve kanë qenë të dhunshme dhe dhuna ka tejkaluar ligjin dhe rendin publik e kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Unë shpreh keqardhjen e pafundme për çdo të lënduar nga aktet e dhunës, përfshirë atë ndaj efektivëve të policisë, ashtu siç shpreh keqardhjen për çdo akt dhune ndaj qytetarëve në protestë. Diferenca nuk e bën termin student. Diferencën e bëjnë aktet e dhunës”, theksoi Braçe.

Ora 14:07
Tabaku akuza për dhunë policore në komision: Është bërë barbari ndaj të rinjve, Demo të raportojë! Bido: Mos bëni teatër, të maskuarit marrin molotovë nga selia e PD-së! (VIDEO)

 

Dhuna gjatë protestave solli debate edhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Kryetarja e komisionit, deputetja demokrate Jorida Tabaku, kërkoi që ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, të raportojnë për veprimet e policisë gjatë 14 ditëve të fundit. Deputeti socialist Ardit Bido konfirmoi se ministri do të paraqitet për raportim, por akuzoi opozitën se nuk dënon dhunën ndaj policëve dhe institucioneve.

"Protesta e studentëve na bëri të gjithëve të reflektojmë dhe unë besoja se do të kishte reflektim edhe nga mazhoranca. Një protestë që ishte kundër asaj që ka prodhuar ky parlament, një politikë pa përfaqësim e cila sot fatkeqësisht merr vendime duke ngritur kartonin, pa sjellë asnjë përmirësim në jetën e qytetarëve. Kemi parë dhunën në rrugët e Tiranës. Ju siguroj pa asnjë konotacion politik se është bërë barbari ndaj të rinjve, janë 1000 të rinj të shoqëruar, 250 prej të cilëve janë të mitur. Jam për përdorimin e institucioneve pa diskutim, por duhet t’i japim pak vlerë parlamentit, duhet që patjetër të raportonte ministri i Brendshëm. Si komision na takon që të flasim dhe për situatën me median. 47 gazetarë janë kërcënuar, intimiduar e gjuajtur, në 43 raste ka ndodhur kjo nga policia. Të gjitha këto marrin një përgjigje nga qeveria, paketën e re për tubime" tha Tabaku 

"Në vullnetin e plotë të grupit parlamentar të PS, ne duam që të raportojë ministri i Brendshëm, vetë ministri do të raportojë. Ajo çfarë ndodh është loja teatrale e opozitës, e cila në seancën e fundit, në pikë të parë kishte raportimin e ministrit dhe në vend që t’i kërkonte llogari për ato që ju gjykoni që janë shkelje të të drejtave të njeriut, ju vendosët që të bëni shkelje të tjera të etikës parlamentare, duke dhunuar kolegë deputetë, duke pamundësuar debatin parlamentar, llogaridhënien e institucioneve, duke i ulur vlerën parlamentit dhe jetës publike e parlamentare në vend. Ne kemi mundësinë që të flasim për çështje thelbësore, të flasim për paketën sociale që na vjen për pak ditë, të flasim për paraburgimin, jo të flasim vetëm kur na intereson, që paraburgimi është i papranueshëm, që ne jemi një dele e zezë e Europës kur vjen puna te kjo çështje. Protestues të maskuar nën petkun e të qenit studentë, të cilët në fakt janë militantë të PD-së, futen në zyrat e PD-së dhe marrin molotovë për t’i hedhur ndaj policisë e pronës publike. Nuk mund të bëni moral në momentin kur ju e shtyni dhe e bëni dhunën, jo vetëm në jetën tonë publike, por dhe atë parlamentare. Nëse nuk denonconi dhe nuk dënoni dot dhunën, mos bëni teatër.” replikoi Bido

 

Ora 13:07
Manja përplaset me Bylykbashin tek 'Ligjet': T’ju vijë turp, PD seli dhune! Demokrati: Policia po përdor dhunë shtazarake, të hetohet i gjithë zinxhiri komandues (VIDEO)

 

Protestat dhe akuzat e opozitës për dhunë policore sollën debate edhe në Komisionin e Ligjeve, ku deputeti demokrat Oerd Bylykbashi kërkoi hetimin e të gjithë zinxhirit drejtues të Policisë së Shtetit dhe vetëshpërndarjen e Parlamentit. Deputeti socialist Ulsi Manja iu përgjigj duke e cilësuar selinë e Partisë Demokratike si një “seli dhune” dhe kërkoi që të dënohet dhuna nga të gjitha palët.

Debati i plotë në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike:

Bylykbashi: Sot është dita e 15-të që studentët, gjimnazistët, familjarët e tyre, qytetarët e Republikës së Shqipërisë janë në protestë kundër qeverisë. Kanë 15 ditë që përballen haptas me regjimin. Është në sytë e të gjithëve shkelja brutale e të drejtave të tyre për të dalë në një protestë paqësore nga policia e pushtetit. Kemi plagosje të rënda nga Policia e Shtetit, duke i çuar në invaliditet protestuesit. I kanë nxjerrë syrin, i kanë thyer gjymtyrët, i kanë frakturuar kafkën, duke përdorur një dhunë shtazarake, krejt të papërpjesëtuar, joproporcionale, në shkelje të Kushtetutës.

Janë përdorur mjetet e dhunës për të shpërndarë protesta paqësore. Shumica dërrmuese aty janë për të bërë një protestë paqësore. Në shkelje të Kushtetutës, e nënvizuar për vite me radhë nga Avokati i Popullit, apo edhe përdorimi i arrestimit si mjet intimidimi për të mos marrë pjesë në atë që është e drejtë kushtetuese: tubime paqësore.

Manja: Vazhdo me procedurën, se këto i kam dëgjuar përditë. Këto i dëgjoj përditë.

Bylykbashi: Janë me qindra protestuesit që kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore, duke u goditur me armë zjarri, me fishekë gome, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

Manja: Edhe punonjësit e Policisë së Shtetit. Mbi 100 punonjës të Policisë së Shtetit.

Bylykbashi: Sot Prokuroria duhej të hetonte të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit, por rri aty. Dhe kjo nuk do të kalojë pa pasoja as për ata, por edhe pa pasoja për policinë e pushtetit. Të gjithë efektivët që janë përfshirë në këto dhunime brutale do të përgjigjen një për një, me koston që të bëhet një spastrim i plotë i këtyre kriminelëve që rrahin në mënyrë shtazarake, jo për të përmbajtur individin, i cili ndoshta po përdor mjetet që nuk duhet t’i përdorë, por për t’i brutalizuar.

Dhe i lënë aty në shesh, i lënë në shesh, i gjuajnë nëpër rrugica. Ku e keni parë këtë? Ju kujtohet kur e keni parë këtë? Koha e stampistave e kohës së komunizmit. Këtu ka ardhur sot. Dalin për të ndaluar: “Ku shkon ti?”, dhe po të panë edhe me maskë kirurgjikale, të shoqërojnë. E mendoni sikur të jetë fëmija juaj.

Manja: Zoti Bylykbashi, lëri këto e vazhdo me procedurën… Nuk keni për të ardhur në pushtet.

Bylykbashi: S’ka lidhje.

Manja: Ka lidhje, ta them unë, se e keni kthyer selinë e PD-së në seli dhune. T’ju vijë turp, t’ju vijë turp. Ka një jetë që merremi me atë seli dhune. Po ik tani. Nuk presin qytetarët për t’ua qarë hallet ju tani…

Bylykbashi: Këtij komisioni po i vjen një paketë dhunimi të të drejtave të njeriut.

Manja: Hajdeni ta diskutojmë këtu paketën, mos rrini rrugëve.

Bylykbashi: Ka dy kërkesa: Edi Rama jep dorëheqjen, është kërkesa e kujtdo në shesh, edhe e juaja brenda jush, dhe një qeveri kujdestare. Dhe Parlamenti, mbi bazën e diskutimeve të Kodit Zgjedhor, të vetëshpërndahet. E ka të rregulluar ligji. Para 20 vjetësh e kemi parashikuar pikërisht këtë gjendje. Parlamenti ka detyrimin moral dhe bazën ligjore të vetëshpërndahet. Duhet që qytetarët të marrin në dorë fatin dhe ta shprehin vullnetin e tyre me zgjedhje. PD është me ta, përditë. Do t’i mbështesim, do t’i mbrojmë. Ju duhet t’i thërrisni moralit tuaj. Mos u bëni me atë bandit. Nëse Kuvendi nuk shpërndahet, turpi moral do të jetë i juaji. Ky Kuvend duhet t’u përgjigjet atyre që janë në shesh. Provoni, dilni në shesh dhe provojeni. Takojini për një sekondë vetëm dhe do të merrni vesh kush është fatura e qeverisjes.

Manja: Pse s’del ti? Dil, dil, dil. Vazhdoni të shihni ëndrra në diell, por kur dilni te Lana, vishuni me plastmas. Vazhdoni, por mos i strehoni te selia ata dhunuesit. Për të qenë të ndershëm deri në fund, kolegët e opozitës, se dhe kjo është mungesë serioziteti, vijnë e mbajnë deklarata që duhet t’i mbajnë nga selia e tyre dhe pastaj largohen dhe braktisin mbledhjet e komisionit. Për të qenë të ndershëm deri në fund, do të duhet të dënohet dhuna, në radhë të parë mbi Policinë e Shtetit, mbi institucionet publike, mbi pronën private dhe publike. Dhe sigurisht pastaj shteti ka mekanizmat e veta, agjencitë e veta ligjzbatuese dhe, nëse dhuna është disproporcionale, organet kompetente të merren me hetimin e dhunës. Por s’mund të na bëjnë moral këta. Këta që dhunën dhe shkatërrimin e kanë në ADN-në e vet politike. Unë nuk e di se si kanë fytyrë e vijnë e flasin nëpër komisione apo në sallën e Parlamentit, kur e ka parë i madh dhe i vogël publikisht se si selia e tyre është kthyer në një depo armatimi, lëndësh piroteknike e materialesh të tjera, maskash kundër gazit për të gjuajtur Policinë e Shtetit. Edhe thonë: “Kemi popullin me vete”. Kanë një popull me vete që nuk bëhen as sa një grusht njerëzish për të dalë në shesh. Ua vodhën dhe kauzën studentëve. Se në ato kërkesa ka dhe kërkesa racionale, me të cilat po merret qeveria dhe është detyra jonë si shumicë. Nëse kanë vendosur që të vijnë në komision e të bëjnë të tilla shfaqje teatrale, turpi, le të shohin ëndrra në diell. Boll ky vend ka vuajtur nga dhuna dhe nga dhuna e këtyre, në fakt. Dhe Partia Socialiste e ka treguar me vepra që, sa herë ka marrë pushtetin, ka ditur të bëjë shtet. Strategji! Këta janë në shesh! Se ku janë në shesh këta, unë nuk e di. Këta në shesh, në ballë të studentëve! Këta në ballë të studentëve e studentët pas këtyre! Studentët e këtyre nga 40 vjeç, që dalin nga selia e PD-së me kartë studenti. Studentët nuk e duan dhunën e s’kanë qenë ndonjëherë për dhunë studentët në Shqipëri.

Ora 12:59
'Shqipëria si në gjendje lufte', Mziu kërkon dorëheqjen e Ramës në Komisionin e Bujqësisë! Klosi: Diskutimet politike në Kuvend, këtu merremi me projektligjet! (VIDEO)

 

Protestat u bënë pjesë e diskutimeve edhe në Komisionin e Bujqësisë, ku deputeti demokrat Xhelal Mziu kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike. Mziu e përshkroi situatën në vend si një “gjendje lufte”, duke deklaruar se studentët kanë lënë auditorët për të dalë në protesta. Kryetari socialist i komisionit, Blendi Klosi, iu përgjigj se debatet politike do të zhvillohen në seancën plenare, ndërsa komisioni duhet të vazhdojë shqyrtimin e projektligjeve që lidhen me integrimin europian.

“Shqipëria si në gjendje lufte, studentët nuk janë në auditorë, por në shesh. Studentët kanë një kërkesë, dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie teknike”, deklaroi Mziu.

“Diskutimet politike do jenë pasnesër në seancë. Ne do të jemi këtu të përgjegjshëm për të vijuar legjislacionin e nevojshëm në kuadër të integrimit. Do kishim dëshirë të dëgjonim dhe oponencën tuaj për këto ligje, por ky është vendimi juaj politik”, iu përgjigj Klosi.

Ora 12:52
'Dënoni dhunën ndaj atyre që mbrojnë rendin', Çuçi debat me Mediun dhe Çelajn në komision: Më shumë efektivë të plagosur se protestues! Dy deputetët e opozitës braktisin sallën (VIDEO)

 

Akuzat për dhunë policore gjatë protestave dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama sollën debate në Komisionin për Çështjet e Brendshme. Deputeti demokrat Isuf Çelaj dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kërkuan që qeveria të japë llogari për veprimet e policisë, ndërsa kryetari socialist i komisionit, Bledar Çuçi, u kërkoi të dënojnë edhe sulmet me molotovë ndaj efektivëve.

Debati nw Komisionin pwr Çwshtjet e Brendshme 

Isuf Çelaj, deputet i PD-së:- “Ministri i Brendshëm duhej të ishte në komision, të jepte hesap për dhunën ndaj të miturve, qytetarëve, të cilët janë sulmuar tej mase me gaz lotsjellës, deri në thyerje gjymtyrësh, goditje me plumba plastikë në pjesën e sipërme të trupit. Ju i nxorët syrin 28-vjeçarit, iu thyen këmbët atij tjetrit në rrugë. Ju, pjesa juaj (mazhoranca), nuk flisni për të. Kjo situatë ka një shkaktar, e ka sjellë qeverisja e një njeriu që e ka emrin Edi Rama. Asgjë nuk funksionon sot në shtet, zgjidh punë vetëm nëse ke telefonin e Edi Ramës, dhe po ta hapi. Nuk kam punë me pjesën e policëve të përgjegjshëm që kryejnë detyrën në rregull, por ata që janë futur në polici si pjesë e krimit të organizuar. Ne mbështesim studentët, duhet dorëheqje e Ramës, krijimi i një qeverie tranzitore, vetëshpërndarje e parlamentit. Nuk mund të rrimë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk e quaj normale që të bëni mbledhje sikur nuk ka ndodhur asgjë.”

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane:- “Kemi dallime politike me njëri-tjetrin, por jemi deputetë, dhe nuk përfaqësojmë qeverinë, por ata që na kanë zgjedhur. Duhet të kemi një qeverisje që respekton ligjin dhe qytetarët e vet. Por qeveria nuk pyet për asnjë interes qytetar. Dhuna në mënyrë sistematike, nuk është dhunë vetëm ndaj atyre që protestojnë në shesh, por karshi gjithë shoqërisë shqiptare, por edhe ndaj ne deputetëve. Qeveria duhet të japë hesap para Kuvendit të Shqipërisë. Të dalim me një qëndrim se çfarë duhet të ndodhë me vendin tonë. Zgjidhja politike që kërkojnë qytetarët, fillon me dorëheqjen e qeverisë. Dorëheqja nuk është mëkat, është përgjegjësi, reflektim në raport me situatën. Një gjyshe ka thënë, nëse karrigia do të ishte aq e mirë nuk do të vendosnim prapanicën por do të vendosnim kokën. Shqipëria ka me mijëra persona më të mirë se Edi Rama, dhe se ne.”

Bledar Çuçi, deputet i PS-së dhe kryetar i komisionit: “Qëndrimet tuaja janë tërësisht politike. Unë besoj që kjo situatë ka bërë që ne të reflektojmë të gjithë për sa i takon marrëdhënies që shoqëria shqiptare duhet të ketë me institucionet që prodhon vetë. Do ishte e sinqertë nga ju thirrja për të reflektuar nëse do ta fillonit me një qëndrim që duhet ta mbajmë të gjithë bashkë, që lidhet me dhunën që është ushtruar ndaj policisë, dhunë brutale, jo thjesht ndaj individëve të veshur me uniformë, por dhunë ndaj institucioneve kushtetuese të Shqipërisë, institucioneve që garantojnë rendin publik në Shqipëri. Pastaj flasim edhe për përgjegjësitë që ka çdokush që tejkalon masën apo që shkel ligjin duke përdorur autoritetin që i ka dhënë vetë ligji. Ka një ndryshim shumë të madh midis maskave me molotovë në dorë dhe policit me uniformë. Ai, e para, ka detyrimin kushtetues të mbrojë rendin publik, autoriteti i forcës në një shtet demokratik është monopol i strukturave shtetërore. Polici me uniformë vepron në bazë të ligjit dhe detyrimeve që krijon korpusi ligjor për atë që vesh uniformën. Përgjegjësia që ai mban, personale, është subjekt i një hetimi në bazë të strukturave të ngritura me ligj. Ndërsa maskat me molotovë që nuk kanë të bëjnë as me protestat e të gjitha grupeve shoqërore që kanë dalë këtë periudhë në shesh, duhet të marrin ndëshkimin e duhur nga ligji. Pres që edhe ju të na bashkoheni me thirrjen që organet ligjzbatuese në Shqipëri të marrin masa që njerëz me maska e molotovë në dorë të mos dhunojnë dhe vandalizojnë institucionet shtetërore dhe subjektet private apo sipërmarrjen, ashtu siç e kemi parë. Ka një ndryshim me çfarë po ndodh në Shqipëri, dhe me atë që ka ndodhur këto kohë në Evropë, që është raporti i të dëmtuarve mes atyre që protestojnë me kapuça e molotovë në dorë me ata që kanë uniformën veshur. Shqipëria është i vetmi vend ku më shumë të plagosur janë njerëz me uniformë, sesa ata që kryejnë akte vandalizmi. Një reflektim do ishte mirë ta bënit dhe ju në lidhje me dhunën që është ushtruar ndaj policisë. Ku është shteti që kemi ngritur gjithë këto vite, dhe po e çojmë gradualisht Shqipërinë në BE. Protesta është e ligjshme, por dhuna e vandalizmi janë të patolerueshme. Policia ka reaguar vetëm atëherë kur është ushtruar dhunë mbi policinë. Kemi parë skena të frikshme se si digjen policët nga molotovi në mes të sheshit. Duhej të kishit thënë të paktën një fjalë solidariteti për këtë pjesë të policisë që është dhunuar sistematikisht këto ditët e fundit, dhe patjetër të reflektojmë për nxjerrjen e përgjegjësive.”

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane: “Dhuna nuk është çështje numrash, dhuna është shkelje ligji nga kushdo krah që vjen, por sidomos nga ato struktura që janë betuar mbi ligjin për të mbrojtur qytetarin, dhe jo pushtetin. Përgjegjësia është personale, dhe unë nuk dua ta fus policinë në një marrëdhënie të tillë, që e urdhërojnë për të ushtruar dhunë. Dhuna sjell vetëm dhunë, dhe unë absolutisht jam kundër dhunës. Ne duhet të merremi me shkakun dhe zgjidhjen.”

Bledar Çuçi, deputet i PS-së dhe kryetar i komisionit: “Prapë nuk dëgjova një lloj solidariteti për ata policë që janë djegur me molotovë, që janë gjendur në breshëri dhune të paparë ndonjëherë, gurësh, e lloj-lloj mjetesh piroteknike. Këtu fillon sinqeriteti. Në këtë rast duhet thënë qartë, dënojmë çdo dhunë që ushtrohet ndaj çdo njeriu që ka detyrimin të mbrojë rendin kushtetues. Një deklarim i tillë do ju nderonte. Unë besoj gjithmonë te dialogu, te zgjidhjet politike në një sistem demokratik, unë besoj te zgjedhjet e lira, le të vazhdojmë të zbatojmë vullnetin e shqiptarëve, e të presim ç’do na thonë shqiptarët mbas 1 viti apo mbas 6 muajsh.”

Pas shkëmbimit të këtyre deklaratave, dy deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja.

Ora 12:42
'21 Janarin e bëri Edi Rama', Vokshi akuza në komision për protestat! Kërkon shpërndarjen e Kuvendit, Hasani: Është zgjedhur me votë, nëse doni, lini mandatet! (VIDEO)

 

Protestat dhe kërkesa e opozitës për shpërndarjen e Parlamentit sollën përplasje mes deputetes demokrate Albana Vokshi dhe kryetarit socialist të Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Vokshi akuzoi mazhorancën për lidhje me krimin e organizuar, manipulim të zgjedhjeve dhe dhunë policore ndaj protestuesve, ndërsa përmendi edhe ngjarjet e 21 Janarit, për të cilat bëri përgjegjës Edi Ramën. Hasani iu përgjigj se Kuvendi është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe se opozita është e lirë të heqë dorë nga mandatet e saj, por nuk mund të kërkojë shpërndarjen e Parlamentit.

"Ne si grup parlamentar i PD, opozita në parlament dhe jashtë parlamentit i mbështesim pa ekuivok dhe jemi në krah të studentëve, të nxënësve e qytetarëve që ngrihen për një Shqipëri më të mirë, për njër qeveri transparente, për një shtet ligjor ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Jo njëri të dënohet se po proteston ndërsa tjetra që ka 1.2 miliard euro, ka 300 shtëpi, ka 2 varka, të mbrohet me votat tuaja, me kartonat tuaja, të mos i hiqet imuniteti e të mos arrestohet, të jetë akoma duke vendosur ministra, drejtorë në qarqe e qeveri qendrore. Po protestohet që krimi të mos e kapë shtetin, karteli të mos emërojë ministra apo shefen e SHISH, prokurorët, gjykatësit, pra themelorët. Ndaj ccdo kërkesë e tyre duhet trajtuar me përparësi. Në ccdo fjali thoni që keni fituar 83 mandate dhe me këtë mendoni se mund ta kaloni situatën. Është koha që nëse keni pak dinjitet të distancoheni nga dhuna, nga paketat që kufizojnë liritë. Ky parlament është vullnet i bandave. Një pjesë e mirë e juaja janë përfaqësues të krimit të organizuar. Nuk përfaqësoni qytetarët por bandat kriminale, kartelet e drogës. Pra mos na e shisni më 83 mandate. Ju keni dhunuar zgjedhjet. Keni përdorur patronazhimin ndaj të gjithë në shesh thërrasin ‘poshtë patronazhistët’. I keni përndjekur qytetarët për tua marrë votat. T’i dëgjojmë ccfarë kërkojnë qytetarë: të shkrihet parlamenti dhe zgjedhje të lira e të ndershme, një qeveri tranzitore, votë të lirë, të ndershme e të barabartë. Kemi parë skena tronditëse të dhunës ndaj protestuesve. Deputetët tanë nëpër spitale kanë parë njerëz me brinjë të thyer. Asnjëri nuk distancohet nga dhuna kur keni dëgjuar drejtuesit e policisë që japin urdhëra ‘mos kurseni asnjë’. Si mund të hyjmë në BE kur drejtuesit e policisë mbrojnë karrigen e një njeriu të vetëm. Sa të rinj duhet të plagosen që të reagoni apo kërkoni viktima? 21 Janarin e bëtë ju. E bëri Edi Rama. Heshtni, dëgjoni qytetarët. Janë mbi 200 raste dhune të depozituara” tha Vokshi.

“Të gjithë përfaqësuesit e popullit në këtë kuvend janë zgjedhur në mënyrë të lirë dh demokratike, ashtu si dhe ju (të PD) dhe ne të PS përfaqësojnë elektoratin tonë. Thirrjeve për shpërndarje të parlamentit ne nuk kemi pse t’i përgjigjemi. Nëse dëshironi të hiqni dorë nga mandatet, bëjeni. ” u përgjigj Igli Hasani