Vendosni fjalën kyçe....

Liderët e Finlandës dhe Norvegjisë telefonojnë Putinin, kërkojnë bisedime të paqes për Ukrainën



Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, kanë zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, duke i kërkuar t’i japë fund pushtimit të Ukrainës dhe të angazhohet në negociata për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.

Gjatë komunikimit të së martës, dy liderët theksuan rëndësinë e rifillimit të dialogut të drejtpërdrejtë për t’i dhënë fund luftës, e cila vijon të shkaktojë humbje të mëdha njerëzore dhe materiale, përcjell Euronews.

“Biseda ishte e drejtpërdrejtë dhe përmbajtësore. Ne jemi vende fqinje me Rusinë. Përfundimi i kësaj lufte do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te siguria jonë dhe te siguria e Evropës në tërësi. Për t’i dhënë fund luftës nevojiten bisedime të drejtpërdrejta”, deklaroi Stubb pas telefonatës.

Nga ana e tij, kryeministri norvegjez nënvizoi pasojat afatgjata të konfliktit dhe nevojën për uljen e tensioneve.

“Lufta ka kosto të jashtëzakonshme njerëzore dhe materiale. Vuajtjet dhe shkatërrimet do të ndikojnë te brezat e ardhshëm. Gjatë bisedës theksuam rëndësinë e uljes së tensioneve”, u shpreh Støre.

Finlanda dhe Norvegjia janë ndër vendet që kanë dhënë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Sipas raportimit të Euronews, të dy liderët i kanë bërë të ditur Putinit se mbështetja e tyre për Kievin do të vijojë.

Gjatë bisedës u diskutua gjithashtu për sigurinë në rajonin e Detit Baltik dhe në Veriun e Largët, ndërsa kontakti vjen në një moment kur po shtohen përpjekjet diplomatike për rifillimin e negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës.