‘Ta pranojmë realitetin’, trajneri i Partizanit shpjegon situatën në fund të renditjes: Nuk mund të jemi një skuadër e butë

‘Ta pranojmë realitetin’, trajneri i Partizanit shpjegon situatën në fund të renditjes: Nuk mund të jemi një skuadër e butë

13:06, 27/10/2026

Trajneri i Partizanit, Mioslav Karoglan, është shfaqur para mediave në konferencën e zakonshme në prag të ndeshjes kundër Elbasanit, të vlefshme për javën e 9 të kampionatit.

Tekniku i të kuqve ka analizuar momentin e vështirë të skuadrës, që renditet në vendin e fundit në klasifikim. Por ai ka insistuar se me kalimin kohës, kjo gjë do ndryshojë.

Pas humbjes ndaj Skënderbeut jeni nën presion?

Presioni është prezent kur je në një klub ku pritshmëritë janë të mëdha. Kam folur edhe me lojtarët, duhet të pranojmë realitetin ku jemi. Duhet të gjejmë stabilitet në repartin e mbrojtjes pasi kemi pësuar shumë gola dhe për pasojë jemi këtu ku jemi përsa i përket edhe pozicionit në klasifikim. Na duhet të punojmë shumë edhe pse nuk mund të bëjmë një proces normal stërvitor, pasi luajmë çdo 3–4 ditë. Duhet të përpiqemi dhe të vazhdojmë të bëjmë më mirë.

Keni gjetur një diagnozë për të ndryshuar këtë realitet?

Kemi zhvilluar një analizë të plotë për situatën. Asnjëherë unë si trajner nuk dua të krijoj alibi. Shtatë lojtarë, pothuajse gjysma e skuadrës janë jashtë të dëmtuar. Ndaj Skënderbeut dhuruam në 25 minutat e para një lojë me kualitet të lartë. Por më pas nuk mundëm të mbanin këtë ritëm dhe kjo ishte diçka që më mërziti pas ndeshjes. Kjo është ana pozitive, ndërsa për anët negative na duhet të punojmë. Sigurisht ana psikologjike është më e rëndësishme për situatën në të cilën ndodhemi.

Përballja ndaj Elbasanit…

Pres një Elbasan agresiv. Ne duhet të jemi gati dhe ti përgjigjemi. Nuk mund të jemi një skuadër e butë. Duhet të jemi gati dhe të ndjekim planin tonë.

Kur mendoni se do të keni Partizanin që kërkoni?

Momentalisht nuk kam mundur të shikoj skuadrën larg. Sigurisht pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të impenjimeve të ekipeve kombëtare do të kemi një skuadër ndryshe, këtë jua premtoj. Në këtë moment Elbasani është ndeshja më e rëndësishme, është objektivi ynë kryesor. Mesazhi im për lojtarët është që nuk jam një trajner që e zë paniku. Dhe nuk jemi një klub që zihet në panik. Ajo që duhet të bëjmë është të gjejmë grindën, krenarinë dhe të luajmë për këto ngjyra në nivelet që kërkohen. Nuk duhet të kemi frikë nga asgjë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco