Nga qelia e paraburgimit, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, tha se i ka kërkuar këshillit Bashkiak të miratojë listën e plotë të përfituesve të kredive të buta, më 29 tetor.

Janë 1500 familje në Tiranë të cilat janë shpallur fituese nga programi i kredisë së butë përmes të cilës mund të sigurojnë një banesë me një normë interesi prej 3%.

Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj thotë se i janë refuzuar takimet e punës me stafin e bashkisë duke i vështirësuar punën për t’i shërbyer qytetarëve që e kanë votuar. Por megjithatë thotë se i ka propozuar këshillit bashkiak mbledhjen sa më shpejt për të miratuar listën e përfituesve të kredive të buta

"Pavarësisht përndjekjes, izolimit dhe refuzimit të çdo takimi pune me stafin e bashkisë, çka ma vështirëson së tepërmi detyrën për t’i shërbyer si duhet qytetarëve që më kanë votuar, më vjen mirë që këtë javë bëjmë realitet ëndrrën e 1500 familjeve, të cilat janë shpallur fituese nga programi i kredisë së butë! I kam propozuar Këshillit Bashkiak të Tiranës që, në mbledhjen e 29 tetorit, ta miratojë të plotë listën, që këto familje të përballojnë blerjen e një shtëpie të re. E marr me mend gëzimin e tyre, ndaj edhe i uroj nga zemra", shkruan Veliaj.