Dana White: Eventet e UFC-së do të zhvillohen normalisht në Lindjen e Mesme, ne do të jemi atje

27 Tetor 2026
13:30
Telesport
back button

Ndërsa situata në Lindjen e Mesme ashpërsohet dita-ditës, shumë organizatorë eventesh duhet të vendosin nëse mund t’i vazhdojnë në mënyrë të sigurt planet e tyre për aktivitete në këtë rajon. Ndërsa shtohet presioni që ndeshja e boksit e Canelo Alvarez (31 tetor ndaj Christian Mbilli) në Riad të zhvendoset në një datë tjetër për UFC nuk ka asnjë problem.

Eventi UFC 333 sapo u zhvillua në Abu Dabi gjatë fundjavës së kaluar. Më pas, më 21 nëntor, një tjetër event i UFC do të zhvillohet në Katar, ndjekur nga UFC në Arabinë Saudite më 5 dhjetor. Sipas CEO së UFC-së, Dana White, të gjitha këto evente do të vazhdojnë sipas planit.

Pas UFC 333, White u pyet për situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe nëse kishte ndonjë mesazh për organizatat e tjera sportive që mund të planifikojnë evente në këtë rajon. “Mund t’ju them se, sa herë kam qenë këtu, nuk jam ndjerë kurrë i pasigurt, e as nuk kam ndjerë se stafi im ishte në rrezik,” tha White.

“Gjithçka këtu realizohet në mënyrë tejet profesionale. Gjatë periudhës së COVID, ne krijuam të vetmen ‘flluskë’ (mjedis të izoluar) të vërtetë që ekzistonte në botë. Kur ndjek lajmet, ato janë plot me broçkulla. Sa herë që kam ardhur këtu, kudo në Lindjen e Mesme, kam pasur vetëm përvoja të mira“, tha Dana White.

“Unë nuk mund t’u them organizatorëve të eventeve të tjera sportive se çfarë duhet të bëjnë,” vazhdoi ai: “Kjo është çështje e tyre. Ne shkojmë. Ne ecim përpara. Kur kemi një marrëveshje, një kontratë dhe një datë, ne do të jemi atje.”

Vendosmëria e White mund të vihet në provë, duke qenë se Huthët vazhdojnë të sulmojnë objektiva në Arabinë Saudite me raketa, bomba dhe dronë. Aeroporti Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” është goditur disa herë dhe është cilësuar si një objektiv legjitim nga ushtria Houthi.

Për sa I përket duelit mes Canelo Alvarez dhe Christian Mbilli, shefi Turki Alalshikh, figura kyçe që menaxhon boksin në Arabinë Saudite, ka deklaruar se Alvarez nuk i trembet asgjëje dhe se ndeshja do të zhvillohet sipas planit. Mbetet për t’u parë se si do të ndryshojë situata nëse sulmet vazhdojnë gjatë gjithë javës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit