Dhuna gjatë protestave solli debate edhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Kryetarja e komisionit, deputetja demokrate Jorida Tabaku, kërkoi që ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, të raportojnë për veprimet e policisë gjatë 14 ditëve të fundit. Deputeti socialist Ardit Bido konfirmoi se ministri do të paraqitet për raportim, por akuzoi opozitën se nuk dënon dhunën ndaj policëve dhe institucioneve.

"Protesta e studentëve na bëri të gjithëve të reflektojmë dhe unë besoja se do të kishte reflektim edhe nga mazhoranca. Një protestë që ishte kundër asaj që ka prodhuar ky parlament, një politikë pa përfaqësim e cila sot fatkeqësisht merr vendime duke ngritur kartonin, pa sjellë asnjë përmirësim në jetën e qytetarëve. Kemi parë dhunën në rrugët e Tiranës. Ju siguroj pa asnjë konotacion politik se është bërë barbari ndaj të rinjve, janë 1000 të rinj të shoqëruar, 250 prej të cilëve janë të mitur. Jam për përdorimin e institucioneve pa diskutim, por duhet t’i japim pak vlerë parlamentit, duhet që patjetër të raportonte ministri i Brendshëm. Si komision na takon që të flasim dhe për situatën me median. 47 gazetarë janë kërcënuar, intimiduar e gjuajtur, në 43 raste ka ndodhur kjo nga policia. Të gjitha këto marrin një përgjigje nga qeveria, paketën e re për tubime" tha Tabaku 

"Në vullnetin e plotë të grupit parlamentar të PS, ne duam që të raportojë ministri i Brendshëm, vetë ministri do të raportojë. Ajo çfarë ndodh është loja teatrale e opozitës, e cila në seancën e fundit, në pikë të parë kishte raportimin e ministrit dhe në vend që t’i kërkonte llogari për ato që ju gjykoni që janë shkelje të të drejtave të njeriut, ju vendosët që të bëni shkelje të tjera të etikës parlamentare, duke dhunuar kolegë deputetë, duke pamundësuar debatin parlamentar, llogaridhënien e institucioneve, duke i ulur vlerën parlamentit dhe jetës publike e parlamentare në vend. Ne kemi mundësinë që të flasim për çështje thelbësore, të flasim për paketën sociale që na vjen për pak ditë, të flasim për paraburgimin, jo të flasim vetëm kur na intereson, që paraburgimi është i papranueshëm, që ne jemi një dele e zezë e Europës kur vjen puna te kjo çështje. Protestues të maskuar nën petkun e të qenit studentë, të cilët në fakt janë militantë të PD-së, futen në zyrat e PD-së dhe marrin molotovë për t’i hedhur ndaj policisë e pronës publike. Nuk mund të bëni moral në momentin kur ju e shtyni dhe e bëni dhunën, jo vetëm në jetën tonë publike, por dhe atë parlamentare. Nëse nuk denonconi dhe nuk dënoni dot dhunën, mos bëni teatër.” replikoi Bido


Lajmi kryesor:

Protestat dominojnë debatin në komisionet parlamentare, opozita vazhdon 'bojkotin': Rama të japë dorëheqjen! PS: Dënoni dhunën ndaj policëve