Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur se po ndërmerren hapat për përfundimin e aksit rrugor Kombinat–Ndroq–Plepa. Së bashku me drejtorin e ARRSH, Ami Kozeli kanë bërë të ditur përfundimin e 5 kilometrave të para deri në Pezë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e punimeve në 9 kilometrat pasues, ndërsa 10 kilometrat e fundit deri në Plepa janë të financuar dhe pritet që procedura e konkurrimit të hapet brenda mesit të muajit nëntor.
Sipas Karakaçit, ky aks rrugor ka rëndësi të veçantë për lehtësimin e qarkullimit drejt Durrësit, veçanërisht gjatë sezonit turistik por edhe për zhvillimin ekonomik të zonave përgjatë tij.
Ministri theksoi gjithashtu se rruga do të shërbejë si një alternativë e rëndësishme për lidhjen e Tiranës me Durrësin, duke përmirësuar aksesin për zonat bujqësore dhe piktoreske, si dhe duke ndikuar në rritjen e vlerës së pronave në këtë territor.
“Po marrim të gjithë hapat e nevojshëm për të përmbyllur rrugën Kombinat–Plepa. Tashmë, 5-kilometrat e parë, që të çojnë deri në Pezë, janë të përfunduar dhe janë marrë në dorëzim edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Lajmi i mirë është që ditën e djeshme Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e 9 kilometrave pasues. Edhe 10 kilometrat që të çojnë deri në Durrës, në Plepa, janë të financuar. Autoriteti Rrugor Shqiptar po përmbyll të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që brenda mesit të muajit nëntor të hapim procedurën e konkurrimit.
Pra kemi një segment Kombinat–Plepa, i cili është i financuar. 9 kilometrat vijues tashmë janë lidhur ditën e djeshme me kontratë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërsa 10 kilometrat pasues, që të çojnë deri në Durrës janë të financuar dhe brenda mesit të muajit nëntor hapet procedura e konkurrimit. Ky aks është i rëndësishëm, sepse së pari është një rrugë alternative që të çon deri në Durrës, shumë e përdorur sidomos gjatë sezonit turistik. Së dyti, kemi një zonë bujqësore, për të cilën është shumë i rëndësishëm aksesi me qytetet kryesore, Tiranën dhe Durrësin. Është gjithashtu një zonë piktoreske. Bëjmë edhe rritjen e vlerës së pronës për gjithë këtë zonë dhe këtë segment.”- ka theksuar ministri Karakaçi
Ndërkohë drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli, ka dhënë detaje mbi projektin e rrugës së re, e cila synon të lehtësojë trafikun në drejtim të jugut të vendit dhe qytetit të Durrësit, si dhe mbi ndërtimin e urës së re të Beshirit mbi lumin Erzen.
"Sikurse e thatë edhe ju ministër, kjo është një rrugë e një rëndësi të veçantë, veçanërisht për shfryrjen e trafikut drejt jugut edhe drejt qytetit të Durrësit. Kjo do të jetë një rrugë e kategorisë C1, me një gjerësi 12.5 metër. Do jenë dy karrexharatë të plota me gjerësi 3.75 metër, ndërkohë që do ketë edhe dy bankina të asfaltuara nga 1.5 dhe dy bankina të pa asfaltuara nga 1 metër të gjëra.
Po është e vërtetë, në korrik të këtij viti kemi lidhur dhe një kontratë për ndërtimin e urës së re të Beshirit, do jetë një urë e re mbi lumin Erzen, paralel me urën ekzistuese. Kjo do jetë një urë me gjatësi 179 metër me 6 hapësira dritë, ku katër janë me 30 metër njëra nga tjetra, ndërkohë dy me 29.5.
Në Këshillin Teknik të Autoritetit Rrugor Shqiptar ne kemi marrë dhe masat e nevojshme për të bërë një rakordim midis rrugës ekzistuese dhe urës së re të projektuar, ndërkohë që aty ka nisur praktikisht puna, pasi janë bërë gjithë piketimet e nevojshme, është bërë lirimi i sheshit të ndërtimit dhe kontraktori është në punë për të vijuar. Kjo kontratë është 12 mujore, ajo e urës së Beshirit është 12 mujore, ndërkohë që dy kontratat që ju cituat janë me gjatësi 24 muaj dhe Autoriteti Rrugor, sikurse dhe këtë kontratën e parë, do e mbylli në kohë, nuk parashikojmë të kemi vështirësi në mbylljen në afat të kontratës."-përfundoi Kozeli.








Komente
Komento