Jeton Sylaj sillet në Gjykatë, injoron pyetjet e gazetarëve për vrasjen e Arlinda Zekajt
Jeton Sylaj është sjellë sot në Gjykatë, ndërsa gjatë shoqërimit të tij, ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Gazetarët e kanë pyetur Sylajn nëse vrasja e Arlindës ishte e planifikuar, por ai ka zgjedhur të mos reagojë ndaj pyetjeve të parashtruara.
Ndërkaq, seanca për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit mbahet në Gjykatën Themelore në Pejë.
Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Jeton Sylajt, nën dyshimin për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
“Sipas kërkesës, më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj”, në fshatin Vitomiricë, Komuna e Pejës, i pandehuri dyshohet se nuk i është bindur pikës I të dispozitivit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor 2026. Përkundër urdhrit të gjykatës që të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike, të mos e pengonte lëvizjen e viktimës dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte atë, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tani të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese. Gjithashtu, dyshohet se ka marrë rrobat e vendosura nga viktima në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur reagime të shumta dhe ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për dhunën ndaj grave dhe nevojën për mbrojtjen e tyre. /Telegrafi/





























