Eksperti i ekonomisë dhe financave, Dorjan Teliti ka kritikuar paketën e re fiskale të propozuar nga qeveria, duke e cilësuar atë si një barrë shtesë për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Në një intervistë në SYRI TV me Sibora Bitrin, Teliti u ndal te politikat e vendeve të rajonit, duke përmendur Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat sipas tij kanë ulur taksat për të lehtësuar kostot dhe për të nxitur ekonominë.
Teliti deklaroi se qeveria parashikon të mbledhë 14.3 miliardë lekë vitin e ardhshëm, pra nga ndryshimet fiskale pritet të sjellin 155 milionë euro më shumë se në vitin 2026 nga rritja e taksave.
Sipas tij, kjo politikë do të pakësojë të ardhurat e bizneseve dhe mundësitë për investime e rritje pagash, duke dëmtuar konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare në raport me vendet e rajonit. Ai kërkoi gjithashtu dorëheqjen e qeverisë Rama.
Teliti: Është paketë fiskale e konsultuar mes vetes së tyre. Janë ulur dhe kanë thënë, çfarë të bëjmë që të mbushim sa më shumë arkën e shtetit në kurriz të qytetarëve dhe biznesit. Nuk kuptojnë diçka, që një ekonomi të funksionojë dhe që një paketë fiskale të jetë rezultative, jo thjeshtë fitimprurëse nga ana financiare por të jetë zhvilluese të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë, duhet së pari të jetë e pranueshme, të jetë me norma të cilat përballohen nga tregu, qoftë konsumatorët qoftë bizneset, dhe të jetë krahasueshme ne vendet e tjera të rajonit pasi nuk jemi një ekonomi e mbyllur por jemi një ekonomi e hapur që bashkëveprojmë. Deri më sot një ndër problematikat që ka pasur ekonomia shqiptare ishte se ishim vendi me taksat më të larta në rajon. Me këtë propozim jo zyrtar aktualisht por që është hedhur si gjoja për konsum publik, për të matur pulsin e aktorëve të tregut dhe politikës, është bërë kjo sepse kjo duhet të kalojë në Këshillin e Ministrave dhe të vijnë paketat zyrtare në Kuvend dhe këto ditë pritet të vijë zyrtarisht pjesa e të gjithë paketës fiskale dhe projektbuxhetit të vitit 2027. Por është një paketë fiskale që në vija të përgjithshme do vijojë të rëndojë si konsumatorin dhe biznesin shqiptar. E vetmja që lehtësohet është arka e shtetit, pra më shumë para për ta. Më shumë para për qytetarin ka këtu? Jo nuk ka. Po më shumë para për biznesin ka këtu? Jo nuk ka. Përkundrazi, më pak para si në xhepin e sipërmarrësit dhe konsumatorit, pse? Sepse kur ti rrit normën e tatim fitimit, tatim fitimit për pagat që kanë, bizneset shqiptare nga 15% në 17% përbën më pak para në xhepin e biznesit, kur ti rrit dividentin nga 8% në 15%, janë më pak para në xhepin e biznesit. Më pak para në xhepin e biznesit të fituara do të thotë më pak paga të rritura në të ardhmen, më pak investime për të ardhmen, produktivitet më të ulët pune në të ardhmen, prodhueshmëri më të ulët në të ardhmen dhe do të thotë që ti humbet dhe atë pak konkurueshmëri të atyre produkteve tuaje vendase dhe humbet më shumë terren në krahasim me vendet e rajonit. Ne pamë gjatë vitit 2026 se çfarë bënë vendet e rajonit si Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, ulën taksat. Ulën barrën fiskale në kuadër edhe të çmimit të karburantit, dukë përbërë ulje në kostot e bizneseve dhe konsumatorëve që më pas u përkthyen në zhvillim të ekonomisë së tyre. Ndërkohë që në Shqipëri nuk u mor asnjë masë por mbetën të njëta edhe pse na thuhej se jemi në krizë globale. Në vend që të vijmë te qytetarët me një paketë fiskale lehtësuese reale, këta vijnë me taksa shtesë.
Vetë qeveria vitin e ardhshëm parashikon që nga këto taksa të mbledhi 14.3 miliardë lekë, apo 155 milionë euro më shumë efekt të rritjes së taksave. E kanë shkruar vetë e zeza mbi të bardhë. 155 milionë euro do pagujmë ne qytetarët dhe bizneset shqiptare më shumë nga kjo manovër e politikës fiskale që dëshiron të propozojë qeverisja aktuale që unë do doja të jepte dorëheqjen dje, por fatkeqësisht e kemi ende në detyrë edhe sot.
© SYRI.net