Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kërkon pezullimin e rritjes së taksave të propozuara në paketën fiskale 2027 dhe hapjen e menjëhershme të konsultimeve me biznesin. Sipas saj, ndryshimet do t'i sjellin buxhetit mbi 10 miliardë lekë të ardhura shtesë në vit, pjesa më e madhe e të cilave do të paguhet nga bizneset, ndërsa rritja e TVSH-së nga 20% në 21% pritet të rëndojë edhe mbi konsumatorët.
Në një qëndrim publik, Dhoma e Tregtisë thekson se më 9 tetor i ka dërguar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit propozimet e saj për paketën fiskale, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sipas saj, bizneset po i mësojnë ndryshimet nga mediat, pa pasur një prezantim zyrtar të paketës apo takime konsultuese.
“Paketa nuk është paraqitur zyrtarisht dhe nuk është zhvilluar asnjë takim konsultues me organizatat e biznesit”, thuhet në reagim.
Dhoma e Tregtisë kundërshton rritjen e TVSH-së standarde në 21%, duke argumentuar se ulja në 6% për ushqimet bazë nuk e kompenson rritjen e tatimit për një sërë mallrash dhe shërbimesh të tjera.
“Lehtësimi prek vetëm një listë ushqimesh. Rritja prek karburantin, energjinë, transportin, veshjet, produktet e higjienës, materialet shkollore dhe ndërtimin”, thekson DHTI-Tiranë.
Ndërkohë, ulja e TVSH-së për ushqimet bazë mirëpritet nga Dhoma e Tregtisë, por ajo kërkon që lista e produkteve të jetë e qartë dhe të përfshijë edhe produktet e përpunimit vendas. Gjithashtu kërkon garanci për rimbursimin e shpejtë të TVSH-së për prodhuesit që do të blejnë lëndët e para me normën 21% dhe do të shesin produktet me 6%.
Një tjetër kundërshtim lidhet me rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%. Sipas Dhomës së Tregtisë, kjo do ta vendoste Shqipërinë me normën më të lartë në Ballkanin Perëndimor, duke i hequr vendit një avantazh konkurrues për tërheqjen e investimeve.
Edhe rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% kundërshtohet, pasi sipas saj, barra e kombinuar mbi fitimin e shpërndarë do të arrinte në rreth 29.5%.
“Fitimi i shpërndarë tatohet dy herë, një herë si fitim dhe një herë si dividend. Me propozimin, barra totale mbi të rritet nga rreth 22% në rreth 29,5%, më e larta në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në qëndrim.
Dhoma e Tregtisë kundërshton edhe rritjen e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10%, duke theksuar se sektori po përballet me zhvlerësimin e euros dhe se kontratat për sezonin 2027 po nënshkruhen me çmime fikse. Ajo kërkon që agroturizmi të vazhdojë të përfitojë normën 6%.
Sa i përket uljes së pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor, DHTI-Tiranë paralajmëron se masa mund të rëndojë bizneset e vogla dhe të nxisë informalitetin.
“Në vend që të nxisë formalizimin, masa rrezikon ta shtyjë biznesin e vogël drejt informalitetit”, thekson Dhoma.
Sipas saj, shqetësim është edhe fakti që të gjitha ndryshimet parashikohen të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, pa periudha kalimtare dhe me pak kohë për përgatitjen e bizneseve.
Dhoma e Tregtisë kërkon ruajtjen e normave aktuale të tatimit mbi fitimin, TVSH-së standarde dhe pragut të regjistrimit në TVSH, si dhe rishikimin e propozimeve për dividendin dhe turizmin. Ajo kërkon gjithashtu publikimin e plotë të paketës fiskale, analizën e ndikimit të çdo mase dhe hapjen e dialogut me biznesin.
“DHTI-Tiranë nuk është kundër reformës fiskale. Ne e kemi treguar këtë me propozime konkrete. Por asnjë reformë nuk është e qëndrueshme nëse ndërtohet pa biznesin dhe kundër konkurrueshmërisë së tij”, përfundon reagimi.
Lajmi kryesor:
Paketa fiskale 2027/ Bizneset kundër rritjes së taksave: Rëndohen sipërmarrjet, rrezikohen vendet e punës dhe rriten çmimet! Kërkojnë konsultim me qeverinë








