Presidenti Bajram Begaj nis konsultimet për datën e zgjedhjeve vendore të 2027. Ai ka ftuar partitë politike për konsultime të premten e 30 tetorit.

Ftesa, i është dërguar këtë të martë të gjitha partive që janë të përfaqësuara në parlament dhe krerëve të grupeve parlamentare, dhe pas konsultimeve me ta, kreu i shtetit duhet të nxjerrë dekretin presidencial brenda afatit 6 nëntor.

Data e zgjedhjeve shpallet nga Presidenti, 9 muaj para përfundimit të afatit të mandatit të kryetarit aktual, ndaj 6 nëntori përllogaritet si afati fundor që kodi elektoral dikton për nxjerrjen e datës së zgjedhjeve, që duhet të jetë një e diel mes periudhës 15 prill-15 maj të 2027.

Ftesa, u refuzua publikisht nga Partia Demokratike, e cila njëjtë si në zgjedhjet e shkuara, nuk do t’i përgjigjet pozitivisht Begajt. Gazment Bardhi e quajti nisjen e konsultimeve teatër.

“E përbuz me neveri këtë teatër politik. Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Shqiptarët janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse Shqipëria do të kishte një President që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh”, tha Bardhi.

Deri më tani, edhe partitë e tjera nuk kanë shprehur publikisht një datë të preferuar, por muaji maj shikohet se më i përshtatshme për t’iu drejtuar kutive të votimit. Data 2 e majit përjashtohet, pasi sipas kalendarit të Festave Zyrtare, është e diela e Pashkëve Ortodokse. Data më e mundshme mbetet ajo e 9 majit.

Në zgjedhjet e ardhshme për bashkitë, vendi shkon me ndarjen e re territoriale, me 46 bashki, ndërsa duhet të reflektohet formula e re për zgjedhjen e këshilltarëve bashkiakë, në kushtet kur përfaqësimi do t’i përshtatet ndryshimeve të fundit territorit me reformën administrativo-territoriale.

Zgjedhjet vendore do të jenë mbase testi i parë i elektoral për Partinë Socialiste, pas nisjes së protestave, dhe po ashtu edhe një test për opozitën aktuale e cila në zgjedhjet e fundit mori vetëm 6 bashki.

Foto: Ftesa për  PD-në, siguruar nga Report Tv

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:31
PD refuzoi ftesën e Begajt për konsultimet mbi datën vendoreve, Balla: Uroj t’i thërrasin arsyes 'depoja e molotovëve'

1791458430_taulantballa.JPG

Foto: Taulant Balla

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas kundërshtimit të Partisë Demokratike për të marrë pjesë në konsultimet me Presidentin Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka ironizuar demokratët, duke kujtuar bojkotet dhe përplasjet e mëparshme brenda opozitës.

Ai ka konfirmuar se Partia Socialiste do të marrë pjesë në konsultimet me Presidentin, ndërsa ka përmendur periudhën 15 prill – 15 maj 2027 si kohën kur pritet të zhvillohen zgjedhjet vendore.

“Çdo President i Republikës ka bërë të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve. Por sot “depoja e molotovëve”-SHQUP qenka shprehur kundër kësaj tradite. Uroj që t’i thërrasin arësyes dhe të marrin pjesë në ZGJEDHJET VENDORE diku mes 15 Prill - 15 Majit 2027. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë etj. Partia Socialiste konfirmon prezencën në konsultime me Presidentin e Republikës zotin Bajram Begaj mbi datën e zgjedhjeve vendore 2027. Faleminderit!”, shkruan Balla.

Ora 17:32
Data e zgjedhjeve vendore 2027/ Begaj fton partitë për konsultime, Bardhi: E përbuz me neveri këtë teatër politik! Ministër pa portofol në shërbim të Ramës

1791462679_gazmentbardhi.JPG

Ftesa e presidentit Bajram Begaj drejtuar partive parlamentare për konsultime mbi datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027 është kundërshtuar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili e cilëson procesin një “teatër politik”.

"Sapo jam njohur me shkresën e Institucionit të Presidentit për thirrjen e konsultimeve lidhur me datën që Edi Rama ka paracaktuar për zgjedhjet e ardhshme vendore. E përbuz me neveri këtë teatër politik. Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës. Shqiptarët janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse Shqipëria do të kishte një President që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh. Në vend që të heshtë përballë këtyre shqetësimeve, Presidenti duhet të ishte zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve. Por, në vend që të përmbushë këtë detyrim, ai zgjedh të mbetet në rolin e një spektatori, duke i shërbyer pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson" tha Bardhi