Ministrat e Mbrojtjes të pesë fuqive kryesore evropiane angazhohen për forcimin e kapaciteteve ushtarake të kontinentit dhe një bashkëpunim më të ngushtë me Uashingtonin. Mbështetja për Ukrainën mbetet pjesë e angazhimit të përbashkët.
Pesë vendet kryesore evropiane të NATO-s kanë shprehur gatishmërinë për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë dhe mbrojtjen e kontinentit, duke theksuar njëkohësisht se partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet thelbësor për funksionimin e aleancës.
Ministrat e Mbrojtjes të Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të njohura si grupi E5, zhvilluan bisedime në Paris, ku diskutuan për forcimin e rolit të Evropës në mbrojtjen kolektive dhe rritjen e bashkëpunimit ushtarak mes aleatëve.
Në një deklaratë të përbashkët, pesë vendet nënvizuan se Evropa duhet të rrisë kontributin e saj në sigurinë e kontinentit, pa cenuar marrëdhëniet strategjike me Uashingtonin.
“Shtetet e Bashkuara janë dhe do të mbeten një aleat i domosdoshëm, ndërsa angazhimi i vazhdueshëm amerikan në sigurinë evropiane është thelbësor për një NATO të fortë dhe të besueshme”, thuhet në deklaratë.
Ministrja franceze Catherine Vautrin deklaroi se vendet e grupit E5 janë dakord për ndërtimin e një Evrope me kapacitete më të mëdha mbrojtëse, në kuadër të një NATO-je të fortë.
Sipas saj, ky proces do të mbështetet në një plan të koordinuar, të hartuar në transparencë të plotë me Shtetet e Bashkuara, me synimin për të forcuar aftësitë ushtarake evropiane dhe për të ruajtur bashkëpunimin transatlantik.
Në të njëjtën linjë, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila mori pjesë në takim, theksoi rëndësinë e modernizimit të forcave të armatosura dhe zgjerimit të kapaciteteve ushtarake të vendeve evropiane.
Çështja e pranisë së trupave amerikane në Evropë ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve. Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Pawel Zalewski, shprehu besimin se çdo marrëveshje për reduktimin e forcave amerikane do të koordinohet me aleatët.
Sipas tij, koordinimi është i nevojshëm për të shmangur boshllëqet në kapacitetet mbrojtëse dhe në aftësinë e NATO-s për të parandaluar kërcënimet ndaj vendeve anëtare.
Rritja e përgjegjësisë evropiane për mbrojtjen shihet në këtë kontekst si një proces që duhet të zhvillohet në bashkëpunim me SHBA-në, dhe jo si shkëputje nga partneriteti transatlantik.
Ministrat e Mbrojtjes të grupit E5 riafirmuan gjithashtu angazhimin për të mbështetur Ukrainën në përballjen me agresionin rus.
Megjithatë, pas takimit nuk u njoftuan paketa të reja financiare apo ndihma të reja operacionale për Kievin.
Diskutimet pasqyrojnë përpjekjet e vendeve kryesore evropiane për të rritur kontributin e tyre në mbrojtjen e përbashkët, duke ruajtur në të njëjtën kohë rolin e Shteteve të Bashkuara si një partner kyç brenda NATO-s.


