Nga Boldnews.al
Administrata Tatimore ka njoftuar paraditen e së Premtes (23 Tetor 2026) se dëmet e shkaktuara nga revolta e studentëve që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, përllogaritet në rreth 2.15 milionë euro.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se “po kryen verifikime në terren si dhe po shqyrton raportimet përmes shërbimit on-line “Dëmi im”, me qëllim përditësimin dhe saktësimin e të dhënave”.
Ndërkohë që dëmtimi, sidomos i subjekteve private, ishte një sjellje që mund të shmangej gjatë protestave studentore dhe, në një kohë që autoritetet ende nuk kanë identifikuar nëse dhunuesit e dyqaneve janë protestues apo persona të infiltruar nga qeveria, njoftimi i Tatimeve për vlerësimin e dëmeve të deritanishme është shndërruar në një objekt ironie therëse në rrjete sociale.
“Bëjini dëmet 4 milionë euro, siç bënte Gys Agasi” është një shprehje që po përhapet me shpejtësi në rrjete sociale, duke iu referuar të dhënave të rrjedhura nga dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme kundër grupit të dyshuar kriminal që vepronte në drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në dhjetor të vitit 2025, SPAK-u njoftoi se kishte nxjerrë urdhër arresti për drejtues të AKSHI-it dhe disa biznesmenë, të dyshuar se kanë manipuluar në formën e grupit kriminal tenderat multi-miliona euro të institucionit.
Në një nga pasazhet e zbuluara nga dosja hetimore, sipërmarrësi Ergys Agasi komunikon në zyrën e tij me kolegun, biznesmenin Ermal Beqiraj. Në komunikimet mes tyre, hetuesit e SPAK-ut kanë evidentuar edhe një pasazh, në të cilin Agasi shprehet se “në disa procedura tenderimi do ta rrisin vlerën e tyre nga 2 milionë në 4 milionë”.
Pikërisht, ky pasazh është shfrytëzuar nga përdoruesit e rrjeteve sociale për të ironizuar aksionin më të fundit të Administratës së Tatimeve.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama prezantoi platformën elektronike “Dëmi im”, në të cilën individët apo subjektet e dëmtuar gjatë protestave studentore të mund të bënin ankim dhe të përfshiheshin në listën e atyre që mund të përfitojnë dëmshpërblim nga Buxheti i Shtetit.
Ndërkohë që bizneset e dëmtuara mund të përfitojnë dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit, kryeministri Edi Rama e përdori platformën publike “Dëmi im” në funksion të propagandës së tij, për ta konsideruar protestën qytetare dhe studentore kundër korrupsionit masiv qeveritar si një lëvizje të dhunshme.
Të dhënat e deritanishme tregojnë se dëmtime sporadike ka edhe në disa institucione publike, për të cilat “marifetçinjtë e tenderave” pritet ta tregojnë veten së shpejti në faturat e fryra financiare.













