Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Izrael ka arritur në një nivel rekord.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 16:00 të së martës kishin votuar 55.7% e zgjedhësve, kundrejt 47.5% në të njëjtën orë në zgjedhjet e mëparshme, përcjell Ynet.
Kjo është pjesëmarrja më e lartë e regjistruar deri në këtë orar që prej vitit 1973, kur nisën të mbaheshin të dhëna të krahasueshme.
Më shumë se 4 milionë izraelitë kanë hedhur votën e tyre, ndërsa rritja prej 8.2 pikësh përqindjeje përkthehet në një pjesëmarrje rreth 17.2% më të lartë krahasuar me zgjedhjet e fundit.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Din Livne, e cilësoi shifrën si më të lartën e regjistruar ndonjëherë në këtë fazë të ditës së votimit.
Pjesëmarrja ishte rritur ndjeshëm edhe më herët gjatë ditës. Deri në orën 14:00, në votime kishin marrë pjesë 44.9% e zgjedhësve, ndërsa në zgjedhjet e mëparshme, në të njëjtin orar, shifra ishte 38.9%. Në atë moment, sipas të dhënave zyrtare, kishin votuar 3,290,480 persona.
Rritje është shënuar edhe mes personelit ushtarak. Sipas ushtrisë izraelite, deri në orën 13:00 kishin votuar 48% e ushtarakëve me të drejtë vote, krahasuar me 44.4% në të njëjtën orë gjatë zgjedhjeve të kaluara.
Pjesëmarrja e lartë ka krijuar radhë të gjata në disa qendra votimi, përfshirë qytetet Ra’anana dhe Ramat Gan. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjyqtari Noam Sohlberg, bëri të ditur se pritjet në disa qendra arrinin nga 15 deri në 20 minuta.
Ndërkohë, Livne u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë durimin, duke siguruar se të gjithë ata që do të mbërrijnë në qendrat e votimit përpara orës 22:00 do të lejohen të votojnë, edhe nëse procesi duhet të zgjasë përtej afatit për të përballuar radhët.
Autoritetet e sigurisë raportuan se procesi po zhvillohej në mënyrë të rregullt, pavarësisht disa përpjekjeve të izoluara për ta penguar atë.
Drejtori i Shin Bet-it, David Zini, tha se votimi po zhvillohej nën mbikëqyrje të ngushtë. Komisioni hodhi poshtë gjithashtu raportimet për manipulime të përhapura me fletët e votimit, duke bërë të ditur se ankesat individuale po shqyrtoheshin.
Në këto zgjedhje për Knessetin e 26-të, parlamentin izraelit me 120 vende, kanë të drejtë vote 7,331,981 qytetarë. Në garë marrin pjesë 36 parti politike, ndërsa në të gjithë vendin janë ngritur 12,018 qendra votimi. Shumica e tyre pritet të mbyllen në orën 22:00, kur televizionet do të publikojnë edhe exit poll-et e para.
Megjithatë, rezultati përfundimtar mund të mos bëhet i qartë deri të enjten pasdite.
Sipas parashikimeve, nga 600 mijë deri në 650 mijë votues, kryesisht ushtarakë, rezervistë dhe qytetarë që votojnë jashtë qendrës ku janë regjistruar, do të përdorin fletë votimi me zarf të dyfishtë. Këto vota kërkojnë verifikim dhe numërim të veçantë.
Në një garë të ngushtë, votat e numëruara me këtë procedurë mund të ndikojnë në ndarjen e mandateve dhe në raportin e forcave mes blloqeve politike rivale. Autoritetet zgjedhore presin që numërimi i plotë të përfundojë deri të enjten pasdite.
