Harry Kane është ngjitur në majën e futbollit botëror, duke fituar Topin e Artë pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Bayernin dhe kombëtaren angleze. Por rrugëtimi i sulmuesit drejt këtij suksesi nuk ka qenë gjithmonë i sigurt. Ish-trajneri i tij te Tottenham, Harry Redknapp, ka rrëfyer një histori pikante nga fillimet e karrierës së kapitenit të Anglisë, kur dikush parashikonte se ai nuk do të ishte kurrë në nivelin e duhur për të luajtur me londinezët.
Në një intervistë për “The Sun”, Redknapp kujtoi një episod të vitit 2011, kur vendosi ta huazonte Kane, atëherë vetëm 17 vjeç, te Leyton Orient, skuadër që drejtohej nga Barry Hearn.
“Një ditë, Hearn më telefonoi dhe më tha: ‘Do të biem nga kategoria. A ke ndonjë lojtar te Tottenham që mund të ma huazosh?’ I thashë se kisha tre të rinj që mund t’i merrte, sepse do të ishte shumë mirë për ta të luanin rregullisht”, tregoi Redknapp.
Kështu, te Leyton Orient përfunduan tre futbollistë të rinj: Harry Kane, Andros Townsend dhe Steven Caulker. Huazimi rezultoi i suksesshëm për skuadrën, e cila arriti të siguronte qëndrimin në kategori.

Redknapp kujtoi gjithashtu fjalët e Hearn, i cili kishte vlerësuar se Townsend dhe Caulker mund të riktheheshin te Tottenham dhe të luanin në nivele të larta. Të dy e realizuan këtë, ndërsa arritën të përfaqësonin edhe kombëtaren angleze. Por për Kane, parashikimi i tij ishte krejt ndryshe.
“Për Kane tha: ‘Jo, ai nuk do të jetë kurrë mjaftueshëm i mirë për të luajtur te Tottenham’. Kur e kujtoi këtë histori në një aktivitet së fundmi, pranoi me humor: ‘Kjo tregon se sa shumë kuptoja unë nga futbolli!’”, rrëfeu Redknapp.
Sot, fjalët e atëhershme duken larg realitetit. Kane është shndërruar në një nga sulmuesit më të mëdhenj të brezit të tij dhe fitoi Topin e Artë pasi realizoi 73 gola gjatë sezonit me Bayernin dhe Anglinë.
Një histori që tregon se edhe karriera e një fituesi të Topit të Artë mund të nisë mes dyshimeve dhe parashikimeve të gabuara.

© SYRI.net
Milan merr konfirmimin: Gila, Moreira dhe Rabiot mungojnë ndaj Bologna-s
Allegri heq dorë nga apelimi i dënimit: Kush e di, mund të më jepnin katër ndeshje pezullim!
Kthesë e papritur te Manchester United, Michael Carrick mbetet në detyrë pavarësisht rezultateve të dobëtaBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: