Ajo që fillimisht dukej si lajmi më i keq i karrierës së tij sportive, u shndërrua në një sinjal që i shpëtoi jetën. Alex Singleton, mbrojtës 32-vjeçar i Denver Broncos në NFL, zbuloi se një test pozitiv për hormonin hCG, substancë e ndaluar në sport, ishte në fakt shenja e parë e një kanceri në testikuj.
Ngjarja ndodhi më 29 tetor 2025, kur Singleton mbërriti në dhomën e zhveshjes për stërvitje dhe gjeti një njoftim për pezullimin me gjashtë ndeshje. “Mendova vetëm: Çfarë dreqin?! M’u shemb zemra”, kujtoi ai në një intervistë për kanalin kanadez TSN.
I bindur se nuk kishte bërë asgjë të gabuar, lojtari kërkoi informacion për hormonin hCG dhe zbuloi se nivelet e larta të tij mund të lidhen me kancerin e testikujve. Edhe pse ndihej mirë fizikisht dhe sapo ishte bërë baba i një vajze, bashkëshortja e bindi të konsultohej me një specialist.
Mjeku konstatoi një anomali dhe i tha se kishte 95% mundësi që të bëhej fjalë për tumor. Ekografia konfirmoi diagnozën. “Ishte hera e parë në jetën time që ndjeva frikë”, rrëfeu Singleton, i cili më në fund kishte një shpjegim për rezultatin e analizës.

Para operacionit, mbrojtësi kërkoi leje për të luajtur kundër Las Vegas Raiders, pasi mendonte se mund të ishte ndeshja e tij e fundit. Skaneri tregoi se tumori nuk ishte përhapur dhe mjekët e lejuan të zbriste në fushë. Singleton luajti të gjitha 60 aksionet në fitoren 10-7 të Denverit dhe regjistroi nëntë ndërhyrje. Meqë sëmundja u zbulua në fazë të hershme, ai nuk pati nevojë për kimioterapi apo radioterapi.
Tri ditë pas operacionit, ai ndau historinë me shokët e skuadrës dhe u rikthye në fushë që javën pasuese, kundër Washington Commanders.
Tani, Singleton dëshiron që përvoja e tij të shërbejë si paralajmërim për të tjerët. Ai kryeson statistikat e NFL-së me 87 ndërhyrje dhe dhuron një shumë për çdo ndërhyrje për një fondacion që lufton kancerin.
“Nëse historia ime i shpëton jetën qoftë edhe një personi, kjo do të thotë gjithçka për mua”, tha ai, duke bërë thirrje për kontrolle të rregullta mjekësore dhe për më shumë vëmendje ndaj shëndetit të meshkujve.
© SYRI.net
Antonelli refuzon numrin 1 në nder të legjendës: Do të mbaj numrin 12 edhe si kampion bote
Deri tetë vite burg, tre ish-presidentë të Federatës së Futbollit dënohen për korrupsion
Milan merr konfirmimin: Gila, Moreira dhe Rabiot mungojnë ndaj Bologna-sBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: