Menjëherë pasi QKB anuloi regjistrimin e shitjes së aksioneve në Aeroportin e Vlorës ka reaguar aksioneri Valon Ademi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, 2A Group e Valon Ademit ka deklaruar se pronësia e aeroportit nuk kthehet me tituj lajmesh.
“I kërkojmë Prokurorisë së Tiranës dhe SPAK-ut, brenda kompetencave të tyre, të veprojnë sa më shpejt. Të hetojnë, të ballafaqojnë provat dhe të kërkojnë përgjegjësi nga kushdo që provohet se ka shkelur ligjin. Për ne, gjërat janë të qarta. Nëse në Shqipëri ka drejtësi, duhet të përcaktohet sa më shpejt kush mban përgjegjësi: Valon Ademi apo Behgjet Pacolli. Të dyja versionet nuk mund të jenë të vërteta dhe kjo përballje nuk mund të mbetet pafund nëpër tituj lajmesh e as ne facebook” thuhet në reagimin e kompanisë postuar në rrjete sociale.
2AGroup e mbyll deklaratën duke thënë se mbas Behgjet Pacollit në Aeroportin e Vlorës qëndron dhëndrri i Nursulltan Nazarbajevit. Ky është Timur Kulibajevi.
“Aeroporti i Vlorës nuk do të bëhet kurrë pronë e Compartment Berninas e as e Timur Kulibajev-it”.
Po kush është Timur Kulibajev?
Timur Kulibajevi një nga biznesmenët më të pasur të Kazakistanit, i cili ndërtoi karrierën në sektorët strategjikë të ekonomisë gjatë periudhës kur vjehrri i tij, Nursultan Nazarbajev, drejtonte vendin. Biznesmeni miliarder njihet për lidhjet e tij të ngushta me elitën politike të vendit dhe për ndikimin në sektorin e naftës, gazit dhe financave.
Çfarë është Compartment Bernina
Në mars 2025 Mabco Constructions S.A. (huamarrës) firmosi një kontratë kredie me Delphos Securities SARL, Compartment Bernina (huadhënës), për një shumë totale prej 100 milionë eurosh marrë nga Behgjet Pacolli dhe Aeroporti i Vlorës u hipotekua si garanci financiare
2A Group i kërkon sërish SPAK që të hetojë provat dhe të vendosë para ligjit këdo që e ka shkelur atë.
Pronësia nuk kthehet me tituj lajmesh.
2A GROUP KA QENË, ËSHTË DHE MBETET ORTAKE ME 49% NË AEROPORTIN E VLORËS.
Për mediat që po raportojnë se “QKB anulon transferimin e kuotave” dhe “i kthen Behgjet Pacollit 98% të pronësisë”, na duhet të sqarojmë se QKB ka ndryshuar ekstraktin. Nuk ka anuluar kontratën e shitblerjes së kuotave. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Ndryshimi i të dhënave në regjistër nuk ia rikthen shitësit kuotat që ka shitur, pavarësisht se si paraqitet kjo në titujt e lajmeve.
2A Group e konsideron të kundërligjshëm vendimin e titullarit të QKB-së për heqjen nga ekstrakti të raportit të kuotave që buron nga kontrata noteriale e datës dhe do ta kundërshtojë me të gjitha mjetet ligjore.
Ligji është i qartë. Neni 690 i Kodit Civil përcakton se kontrata e lidhur rregullisht ka forcën e ligjit për palët dhe nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ta ketë shpallur të pavlefshme apo të ketë vendosur zgjidhjen e saj. Neni 74, pika 2, i ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” përcakton se regjistrimi i kalimit të kuotave ka efekt deklarativ.
Pra, të drejtat tona mbi kuotat burojnë nga kontrata. QKB-ja nuk mund ta zhbëjë shitblerjen duke ndryshuar të dhënat në ekstrakt. Një vendim mbi regjistrimin nuk është vendim gjyqësor mbi vlefshmërinë e kontratës dhe nuk ia rikthen shitësit kuotat që ka shitur.
Kjo është e vërteta dhe këtë duhet ta dijë opinioni publik: 2A Group vazhdon të zotërojë 49% të kuotave të VIA-s në bazë të kontratës noteriale dhe në bazë të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.
Kemi qenë të parët që kemi kallëzuar në organet kompetente veprimet e MABCO-s dhe Behgjet Pacollit, të cilat i konsiderojmë mashtruese. Dhe jemi ne që kemi kërkuar që këto kallëzime të hetohen sa më shpejt.
Opinioni publik duhet ta dijë sa më shpejt nëse, Valon Ademi, e kam mashtruar Behgjet Pacollin apo ka ndodhur e kundërta.
Prandaj, i kërkojmë Prokurorisë së Tiranës dhe SPAK-ut, brenda kompetencave të tyre, të veprojnë sa më shpejt. Të hetojnë, të ballafaqojnë provat dhe të kërkojnë përgjegjësi nga kushdo që provohet se ka shkelur ligjin.
Për ne, gjërat janë të qarta. Nëse në Shqipëri ka drejtësi, duhet të përcaktohet sa më shpejt kush mban përgjegjësi: Valon Ademi apo Behgjet Pacolli. Të dyja versionet nuk mund të jenë të vërteta dhe kjo përballje nuk mund të mbetet pafund nëpër tituj lajmesh e as ne facebook.
Garantojmë opinionin publik se, pavarësisht propagandës, qëndrimi ynë është i palëkundur:
“Aeroporti i Vlorës nuk do të bëhet kurrë pronë e Compartment Berninas e as e Timur Kulibajev-it, dhe për këtë do të qëndrojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe jo vetëm.”
© SYRI.net