Policia italiane ka zbuluar biseda në internet ku, sipas hetuesve, diskutoheshin përdorimi i armëve, thikave dhe bombave tymuese, si dhe plane për sulme ndaj efektivëve të policisë dhe godinave qeveritare. Zbulimet janë pjesë e hetimeve për trazirat që përfshinë qendrën e Milanos më 17 dhe 18 tetor.
Sipas mediave italiane, hetimet po zhvillohen në dy drejtime: njëri lidhet me mesazhet në një grup WhatsApp-i me më shumë se 230 anëtarë, ndërsa tjetri përqendrohet te aktiviteti i Youssef Siher, i cili publikoi në internet thirrje për protestë në kuadër të lëvizjes së njohur si “17 Tetori”.
Hetuesit e njësisë speciale DIGOS në zonën e Monzës dhe Brianza-s nisën verifikimet pasi zbuluan një mesazh ku një përdorues u kërkonte të tjerëve të mos vendosnin menjëherë maskat, në mënyrë që të mos tërhiqnin vëmendjen e forcave të rendit.
Më 22 tetor, në zbatim të një urdhër-arresti të lëshuar nga prokuroria për çështjet e të miturve, agjentët kontrolluan banesën e një adoleshenti të dyshuar si autor i mesazheve. Gjatë kontrollit u gjetën një maskë e zezë dhe një bluzë e zezë, që dyshohet se ishte vjedhur nga një dyqan. Ndërkohë, në banesën e një tjetër të mituri u zbulua një bluzë e së njëjtës markë, e cila dyshohet se ishte marrë gjatë plaçkitjes.
Sipas raportimeve, ishte telefoni i adoleshentit të parë që i çoi hetuesit te grupi i WhatsApp-it, ku anëtarët diskutonin për armë, thika, bomba tymuese dhe fishekzjarrë. Në biseda përmendeshin gjithashtu plane për të sulmuar policët, për t’u marrë armët dhe për t’u vënë zjarrin ndërtesave qeveritare.
Mesazhet përmbanin edhe thirrje për përdorimin e armëve të ftohta dhe sprajit djegës, vjedhjen e automjeteve dhe dëmtimin e bizneseve.
Në grup ishte diskutuar edhe protesta e 24 tetorit, e cila, sipas raportimeve, rrezikonte të përshkallëzohej në dhunë. Informacionet e mbledhura nga autoritetet ndihmuan në parandalimin e këtij skenari.


