Posta Shqiptare dhe FTL nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, qytetarët do të paguajnë faturat e energjisë elektrike pranë zyrave postare

Etjen Xhafaj dhe Albi Gjenerali firmosin marrëveshjen që synon zgjerimin e shërbimeve dhe lehtësimin e pagesave për qytetarët në të gjithë Shqipërinë.
Posta Shqiptare dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL), pjesë e OSHEE Group, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që do t’u mundësojë qytetarëve të kryejnë pagesat e faturave të energjisë elektrike përmes rrjetit të zyrave postare në të gjithë vendin.
Marrëveshja u nënshkrua nga administratori i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, dhe administratori i Furnizuesit të Tregut të Lirë (FTL), Albi Gjenerali.
Ky bashkëpunim synon ta bëjë më të lehtë aksesin e qytetarëve në shërbimet e pagesave, duke shfrytëzuar rrjetin e gjerë të zyrave postare dhe duke afruar shërbimet më pranë vendbanimeve të tyre.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Posta Shqiptare zgjeron gamën e shërbimeve që ofron, ndërsa qytetarët do të kenë një tjetër mundësi për të paguar faturat e energjisë elektrike, pa qenë e nevojshme t’u drejtohen pikave të tjera të shërbimit.
Nisma konsiderohet një hap drejt përmirësimit të aksesit në shërbimet publike dhe financiare, duke synuar kursimin e kohës dhe lehtësimin e procedurave të përditshme për qytetarët në të gjithë Shqipërinë.
Bashkëpunimi mes Postës Shqiptare dhe FTL-së, pjesë e OSHEE Group, vjen në kuadër të zgjerimit të shërbimeve dhe rritjes së aksesueshmërisë së tyre për qytetarët.


360grade.al


















