• Kreu
REPORT.AL
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Rajon
  • Ekonomi
  • Botë
  • Sociale
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Showbiz
  • Sport
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Rajon
  • Ekonomi
  • Botë
  • Sociale
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Showbiz
  • Sport
No Result
View All Result
REPORT.AL
No Result
View All Result
Home Sociale

A do ta zbrazin sheshin masat e reja të Ramës?

by Lajm Lajm
October 27, 2026
in Sociale
A do ta zbrazin sheshin masat e reja të Ramës?
0
SHARES
Share on FacebookShare on Twitter

Paketa e masave që prezantoi kryeministri Edi Rama, me sanksione më të ashpra ndaj akteve të dhunës gjatë protestave, ka ngritur pikëpyetje jo vetëm mbi efektin që do të ketë në vijimësinë e tyre, por edhe mbi kufijtë ligjorë të këtyre ndërhyrjeve dhe ndikimin që mund të kenë në të drejtën e protestës.

A do të arrijnë këto masa t’i largojnë protestuesit nga sheshi dhe të frenojnë mobilizimin qytetar, apo rrezikojnë të shtojnë pakënaqësinë dhe tensionet politike?

Analisti politik Mentor Nazarko dhe politologu Ermal Hasimja sjellin dy këndvështrime mbi paketën e re, duke vënë në diskutim si bazën dhe proporcionalitetin e masave, ashtu edhe efektin e tyre në një krizë politike që nuk zgjidhet domosdoshmërisht përmes ndëshkimeve.

Nazarko: Ligji është universal, por zbatimi varet nga koha dhe hapësira

Një nga argumentet kryesore të Nazarkos lidhet me dallimin mes karakterit universal të ligjit dhe mënyrës se si ai vepron në një kontekst të caktuar politik e shoqëror.

Për Faktoje.al, Nazarko thotë se normat ligjore nuk mund të shkëputen nga koha dhe hapësira ku zbatohen, pasi e njëjta masë mund të ketë pasoja të ndryshme në shoqëri me tradita, institucione dhe mekanizma kontrolli të ndryshëm.

“Ligjet kanë karakter universal dhe lokal. Ashtu si ato reflektojnë kohën dhe hapësirën ku ushtrojnë ndikimin e tyre. Në epokën kur konfliktet zgjidheshin me shpatë, apo diku në Burundi këto norma do dukeshin pa kuptim. Sigurisht që në emër të ruajtjes së rendit publik i vendoset kufizim të drejtës së protestës dhe kundërshtimit politik të qeverisjes”, shprehet Nazarko.

Pikërisht këtu qëndron edhe pikëpyetja që ngre për paketën e Ramës. Sipas tij këto kufizime nuk janë automatikisht të justifikuara vetëm sepse synojnë parandalimin e dhunës.

Sipas Nazarkos, çështja thelbësore është nëse kufiri i vendosur nga qeveria përputhet me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me Kushtetutën shqiptare.

“Pikëpyetja është: a është ky kufi në përputhje me Konventën Evropiane të lirive dhe të drejtave të njeriut? Apo me Kushtetutën e Shqipërisë?”, pyet ai.

Modeli francez dhe italian nuk mjafton për të justifikuar masat

Referimi i kryeministrit te praktikat e Francës dhe Italisë për të argumentuar ndërhyrjet e propozuara nuk e mbyll, sipas Nazarkos, diskutimin mbi karakterin demokratik të tyre.

Analisti vëren se masat e ngjashme me ato të vendeve të tjera nuk mund të vlerësohen të shkëputura nga mënyra se si zbatohen dhe nga garancitë institucionale që i shoqërojnë.

Nazarko sjell si shembull faktin se në këto vende përdoren edhe mekanizma të fortë për ruajtjen e rendit publik, por ekzistojnë njëkohësisht forma të kontrollit kushtetues dhe të mbrojtjes efektive të së drejtës së protestës.

Për këtë arsye, importimi i një mase ligjore nuk nënkupton domosdoshmërisht importimin e të gjithë sistemit të garancive që mund të kufizojnë abuzimin me të.

“Afërmendsh që ligjshkruesit tanë nuk u zgjuan një ditë si dje, kaq të armatosur me një kuadër adresues të dhunës së revoltës urbane. Ka kopjim fjalë për fjalë të masave franceze dhe italiane, ku megjithatë ka me bollëk të dy anët e medaljes: për dekurajim është përdorur dhe po përdoret ushtria në funksion ruajtjeje të rendit publik, si xhandarmëria apo ushtria (pa armë) me kamzhik gome që më herët në aeroporte, porte dhe zona me intensitet turistik, apo dhe njësia elitë e 500 parashutistëve të Folgore-s, ashtu si ka drejtësi kushtetuese preventive, tutelë efektive të së drejtës së protestës”, vëren ai për Faktoje.

Për të, debati mbi masat e reja nuk duhet të shkëputet nga mënyra se si është trajtuar e gjithë situata e protestave, përfshirë dhunën policore dhe aktet e dhunshme të protestuesve, si dhe pasojat që këto të fundit mund të kenë për imazhin e Shqipërisë jashtë vendit.

“Debati nuk e humb fokusin kryesor me gjithë këtë investim delegjitimues, shumëfishues të dhimbjes, kritik të dhunës së policisë e minimizues të zjarrit primitiv që më së paku defaktorizon Shqipërinë diplomatikisht”, vijon ai.

Drejtësia mund të jetë kundërpesha e masave kufizuese

Megjithëse e konsideron paketën të prirur drejt kufizimit, Nazarko nuk parashikon zhdukjen e së drejtës së protestës.

Në analizën e tij, ai thotë se një rol të rëndësishëm mund të luajë sistemi i drejtësisë, veçanërisht nëse gjykatat kontrollojnë mënyrën se si policia dokumenton dhe ndëshkon veprimet gjatë tubimeve.

“Për fat, gjykata po korrigjon qasjen represive të policisë së paaftë që të dokumentojë dhunën, shenjë se nuk jetojmë në regjimin e pikturuar nga përmbysësit e orës së fundit kundër regjimit, pasi braktisën lugët e bollshme të gostive të tij..

Pra, e drejta e protestës nuk do shuhet edhe sikur masat e reja të aprovohen, sepse sistemi i drejtësisë ka dhënë shenja pavarësie që në shkallën e parë, jo më në nivel kushtetues”, argumenton Nazarko.

Ky vlerësim është i rëndësishëm në analizën e tij, sepse e ndan miratimin e një pakete ligjore nga mënyra se si ajo mund të funksionojë në praktikë.

Edhe nëse ligji krijon instrumente më të forta për autoritetet, zbatimi i tyre mund të përballet me kontrollin gjyqësor dhe me kundërshtime kushtetuese.

Për rrjedhojë, debati për paketën nuk përfundon me miratimin e masave.

Një pjesë e rëndësishme e tij do të zhvillohet në institucionet që duhet të garantojnë se ndërhyrjet për ruajtjen e rendit nuk shndërrohen në kufizime joproporcionale të lirive qytetare.

A do t’i frenojnë masat protestat, apo do të prodhojnë më shumë revoltë?

Nazarko parashikon se paketa mund të ketë një efekt shkurajues, veçanërisht nëse shoqërohet me një fushatë të fortë komunikimi.

Megjithatë, ai nuk e konsideron këtë rezultat të sigurt dhe paralajmëron se disa prej masave mund të sjellin pasoja të kundërta me ato që synon qeveria.

Një prej shembujve që përmend është krijimi i një regjistri të personave të dhunshëm dhe kufizimi i lirisë së lëvizjes.

Sipas tij, nëse këto masa zbatohen pa u përballur me kundërshtime kushtetuese, ato mund të prodhojnë më shumë revoltë ose, në një skenar tjetër, të kontribuojnë në tkurrjen e protestës.

“Një farë efekti do ta ketë, – nëse do të shoqërohet me propagandë.

Mirëpo shihet se Rama që po komunikon i vetëm përballë turmave apo masës kundërshtuese të tij dhe kujt rri pas saj- nga PD, tek partitë e tij, ngjan jo efektiv.

Nëse do jetësohet pa kundërshtim kushtetues i ashtuquajturi regjistri i personave të dhunshëm në kufizimin e lirisë së lëvizjes për një rini që lëviz shumë- mund të ketë akoma më shumë revoltë, apo tkurrje. Mbetet për t’u parë. Është luftë për kohën.

Kjo revoltë do rezultate imediate – rrëzimin e qeverisë, sot, tani në çast, ndaj nëse zgjat pa arritur këtë objektiv, dhe kundërshtimi kushtetues i masave nuk do prodhojë bllokim të tyre, qoftë dhe të pjesshëm, mbase mund të ketë ndonjë efekt shkurajues”, vëren ai.

Hasimja: Paketa synon të intimidojë protestuesit, jo të adresojë kërkesat e tyre

Ndryshe nga Nazarko, i cili e ndërton analizën kryesisht mbi proporcionalitetin e masave dhe garancitë ligjore, Ermal Hasimja vendos në qendër motivimin politik të paketës.

Sipas tij, qeveria po përpiqet të largojë protestuesit nga sheshi, pa reflektuar mbi arsyet që i kanë nxitur të dalin në rrugë.

“Paketa e Ramës në fakt synon vetëm që të intimidojë protestuesit, të largojë protestuesit nga sheshi, por natyrisht që nuk ka asnjë lloj reflektimi mbi kërkesat reale të tyre. Pra, është thjesht një masë shtypëse e protestës dhe frikësuese”, shprehet Hasimja për Faktoje.

Për të, problemi nuk qëndron vetëm te sanksionet që parashikon paketa, por te qasja përmes së cilës qeveria po përpiqet të menaxhojë krizën.

Në vend që t’u përgjigjet kërkesave politike të protestuesve, sipas Hasimes, ajo po përpiqet të kufizojë mundësinë e mobilizimit të tyre.

“Ditët e sotme organizimi i protestës kalon kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe mobilizim gjithashtu. Rama përpiqet ta parandalojë këtë edhe aty, por edhe në të gjitha format e tjera.

Qëllimi është që të intimidohet qytetari. Në qoftë se shteti normalisht ka për detyrë që të garantojë të drejtën e protestës, të garantojë dhe sigurinë e protestuesve dhe të pronës publike dhe private.

Në rastin konkret shteti thjesht po përpiqet të heqi qafe protestën, ta parandalojë protestën, por duke mos kryer dhe duke shmangur dhe injoruar të gjithë detyrat e veta kushtetuese”, thotë Hasimja për Faktoje.

Fashitja e protestës nuk është strategji për zgjidhjen e krizës

Hasimja e lidh paketën e masave me atë që e konsideron mungesë të një strategjie konkrete të qeverisë për qetësimin e situatës.

Sipas tij, reagimet e fundit, nga premtimet te masat ndëshkuese, tregojnë një qasje të përqendruar te shuarja e menjëhershme e kundërshtimit, pa një plan afatgjatë për zgjidhjen e krizës politike.

“Të duket herë pas here se qeveria nuk ka një strategji konkrete për qetësimin e situatës dhe për zgjidhjen e krizës politike. Duket që i vetmi refleks që ka është refleksi i fashitjes, ftohjes, shuarjes dhe shtypjes së protestës. Dhe kjo tregon edhe një lloj problemi analize, sepse është e qartë që protesta nuk do të mund të zgjidhet në këtë mënyrë dhe aq më pak edhe kriza politike”, shprehet ai.

Hasimja paralajmëron se injorimi i kërkesave politike dhe përpjekja për të shtypur kundërshtimin mund të rrisin frustrimin dhe të krijojnë kushtet për një shpërthim të ri të pakënaqësisë pas disa javësh apo muajsh.

“Mendoj që Rama po përpiqet të fitojë kohë, por është e qartë që injorimi i kërkesave të protestës dhe përpjekja për ta shtypur do të jetë jo vetëm e pasuksesshme, por do të jetë edhe problematike, sepse e nxit edhe më tepër frustrimin dhe presionin që mbas një jave, një muaji apo pesë muajsh mund të rishpërthejë në një mënyrë tjetër”, thotë ai.

Ai vëren gjithashtu se reagimet e qeverisë duken të lidhura me zhvillimet e ditës, më shumë sesa me një strategji të qëndrueshme për menaxhimin e krizës.

Për këtë arsye, sipas tij, edhe një rënie e përkohshme e pjesëmarrjes në protesta nuk do të ishte tregues i mjaftueshëm se situata është zgjidhur.

Dy lexime, një pikë e përbashkët: Pakënaqësia nuk zhduket me masa ndëshkuese

Megjithëse Nazarko edhe Hasimja e analizojnë paketën nga këndvështrime të ndryshme, të dy vënë në diskutim idenë se masat shtrënguese mund të jenë të mjaftueshmë për t’i dhënë fund krizës.

Nazarko përqendrohet te rreziku që kufizimet të jenë joproporcionale dhe të nxisin një reagim të kundërt, ndërsa Hasimja thekson se përpjekja për të frenuar protestën pa adresuar kërkesat e saj mund ta shtyjë pakënaqësinë për një moment tjetër.

Sipas tyre, një protestë mund të tkurret për shkak të lodhjes, frikës nga ndëshkimi apo pamundësisë për të arritur objektivat e saj, por asnjëra prej këtyre rrethanave nuk dëshmon, më vete, se konflikti politik është zgjidhur.

/Faktoje.al

Previous Post

Paketa Fiskale 2027, bizneset kundër rritjes së taksave: 85 mln euro barrë shtesë, rrezikohen investimet dhe punësimi

Lajm Lajm

Lajm Lajm

TË FUNDIT

A do ta zbrazin sheshin masat e reja të Ramës?

A do ta zbrazin sheshin masat e reja të Ramës?

October 27, 2026
Paketa Fiskale 2027, bizneset kundër rritjes së taksave: 85 mln euro barrë shtesë, rrezikohen investimet dhe punësimi

Paketa Fiskale 2027, bizneset kundër rritjes së taksave: 85 mln euro barrë shtesë, rrezikohen investimet dhe punësimi

October 27, 2026
Vijon protesta para Kryeministrisë: Arrestoni Ramën!

Vijon protesta para Kryeministrisë: Arrestoni Ramën!

October 27, 2026
“Ministër pa portofol i Ramës”, Bardhi refuzon konsultimet e Begajt për zgjedhjet vendore

“Ministër pa portofol i Ramës”, Bardhi refuzon konsultimet e Begajt për zgjedhjet vendore

October 27, 2026
Studentja: Nuk kemi besim as te opozita, kërkojmë largimin e Ramës dhe Berishës

Studentja: Nuk kemi besim as te opozita, kërkojmë largimin e Ramës dhe Berishës

October 27, 2026
Protesta në Tiranë/ Studentët largohen nga Ministria e Arsimit dhe zhvendosen te Kryeministria

Protesta në Tiranë/ Studentët largohen nga Ministria e Arsimit dhe zhvendosen te Kryeministria

October 27, 2026
Arrestohet për zjarrvënie 29-vjeçari në Divjakë

Arrestohet për zjarrvënie 29-vjeçari në Divjakë

October 27, 2026
Tabaku kërkon llogari nga Rama: Të raportojë në Kuvend për dhunën ndaj të rinjve në protesta

Tabaku kërkon llogari nga Rama: Të raportojë në Kuvend për dhunën ndaj të rinjve në protesta

October 27, 2026
Protestat në Shqipëri mbërrijnë në Vjenë, diaspora takon Kancelarin austriak

Protestat në Shqipëri mbërrijnë në Vjenë, diaspora takon Kancelarin austriak

October 27, 2026
“Fytyra e revolucionit shqiptar”/ Gazeta belge jehonë Marjana Koçekut: Deputetja 25-vjeçare që sfidoi Ramën

“Fytyra e revolucionit shqiptar”/ Gazeta belge jehonë Marjana Koçekut: Deputetja 25-vjeçare që sfidoi Ramën

October 27, 2026

REPORT.AL

Portali report.al është një media online e pavarur që sjell lajme, analiza dhe informacione të sakta në kohë reale. Me fokus tek transparenca dhe vërtetësia, portali synon t’u ofrojë lexuesve shqiptarë një burim të besueshëm lajmesh nga politika, ekonomia, shoqëria dhe ngjarjet ndërkombëtare.

RUBRIKAT

  • Aktualitet
  • OP-ED
  • Politike
  • Rajon
  • Showbiz
  • Sociale
  • Shëndet
  • Sport

MË TË KLIKUARAT

  • DEL VIDEO, zyrtari i lartë i PS-së duke kryer marrëdhënie intime me një mashkull

    DEL VIDEO, zyrtari i lartë i PS-së duke kryer marrëdhënie intime me një mashkull

    0 shares
    Share 0 Tweet 0
  • Djegia e makinës në aksin Kardhiq–Delvinë, ndërron jetë te Trauma 37-vjeçari /EMRI

    0 shares
    Share 0 Tweet 0
  • Skandal/ “E vrau natën, e qau ditën”, familja e Erion Vishkullit nxjerr bllof propagandën e Ramës

    0 shares
    Share 0 Tweet 0
  • Aktualitet
  • OP-ED
  • Politike
  • Rajon
  • Showbiz
  • Sociale
  • Shëndet
  • Sport

© 2025 REPORT.AL

No Result
View All Result
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Rajon
  • Ekonomi
  • Botë
  • Sociale
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Showbiz
  • Sport

© 2025 REPORT.AL