Biznesmeni Afrim Hasa ka rrëfyer në emisionin “Pjaca në Radar” një mënyrë të pazakontë që, sipas tij, përdor kur përballet me prona që nuk arrin t’i shesë. I pyetur nëse ekzistojnë prona të “mallkuara”, ai tha se beson se ka raste të tilla dhe tregoi se përdor sheqer, duke pretenduar se më pas shitja mund të realizohet brenda pak ditësh.
Gjatë bisedës, gazetari tregoi historinë e një dyqani në zonën e Astirit, ku bizneset ndryshonin vazhdimisht dhe pronarët nuk arrinin të gjenin stabilitet. Sipas tij, një dyqan lulesh pranë këtij ambienti vazhdonte të funksiononte, ndërsa në lokalin ngjitur qiramarrësit ndërroheshin çdo muaj.
I pyetur për këtë fenomen, Hasa zbuloi zakonin e tij, duke treguar se mban gjithmonë sheqer në makinë.
“Unë, Fredo, unë mbaj gjithmonë sheqer në çantë. Po për Zotin, e kam te makina. Po pasha Allahun, bustina kafeje… edhe me sheqer. I hedh sheqer”, u shpreh biznesmeni.
Ai pretendoi se në rastet kur një pronë nuk po shitet, pas këtij veprimi situata mund të ndryshojë brenda një kohe të shkurtër.
“Pa pa, po ajo që s’më ecën, ndodh pastaj për dy ditë shitet”, tha Hasa gjatë intervistës.
Rrëfimi i tij solli në vëmendje besëtytnitë që lidhen me pronat dhe bizneset që nuk ecin, edhe pse pretendimi për efektin e sheqerit mbetet një bindje personale e biznesmenit.


