Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën 20-vjeçarit shqiptar Rogert Ajdini në Valtopina të Italisë. I riu, banues në Trevi, po merrte pjesë në punimet për asfaltimin e rrugës Santa Cristina, kur dyshohet se u shtyp nga rulit asfaltues që po drejtonte.
Sipas mediave italiane, mjeti i rëndë dyshohet se u përmbys për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar. Kolegët e Ajdinit njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës, por plagët e marra rezultuan fatale, pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit.
Në vendngjarje mbërritën ambulanca, zjarrfikësit dhe helikopteri i shpëtimit. Ndërkohë, karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar se çfarë shkaktoi përmbysjen e mjetit.
Punimet në rrugën Santa Cristina ishin ndërmarrë nga Bashkia e Valtopinës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe i ishin besuar një kompanie të specializuar.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Kryetari i Bashkisë së Valtopinës, Gabriele Coccia, shprehu ngushëllimet për familjen e të riut, duke e cilësuar humbjen e tij si një tragjedi të rëndë.
Vdekja e 20-vjeçarit shqiptar vjen në një periudhë kur Italia po përballet me disa aksidente fatale në vendet e punës. Sipas mediave italiane, brenda tri ditësh numri i punëtorëve që kanë humbur jetën në rrethana të tilla ka arritur në shtatë.
Përfaqësues të institucioneve italiane kanë ngritur shqetësimin për sigurinë në punë, duke kërkuar që vdekjet gjatë ushtrimit të profesionit të mos konsiderohen një realitet i zakonshëm.
Hetimet për aksidentin ku humbi jetën Rogert Ajdini vijojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të tragjedisë.


