Një punonjëse e parkut të kafshëve të egra Safaripark Beekse Bergen, në jug të Holandës, ka humbur jetën pasi u plagos rëndë nga sulmi i një pantere më 24 tetor. Gruaja u sulmua gjatë punës brenda rrethimit ku mbaheshin dy pantera meshkuj të llojit persian.
Sipas mediave të huaja, punonjësja, e cila kishte gati katër dekada që punonte në park, u transportua me urgjencë për trajtim mjekësor dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale ditën e incidentit. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, ajo nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Ngjarja ka tronditur stafin e parkut, ku viktima kishte kaluar një pjesë të madhe të jetës së saj profesionale.
Pas tragjedisë, drejtuesit e Safaripark Beekse Bergen njoftuan se do të zhvillohet një hetim i pavarur për të zbardhur rrethanat e sulmit dhe për të përcaktuar se si ndodhi incidenti.
Parku ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e punonjëses, ndërsa hetimet pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e ngjarjes fatale.


