Prindërit e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula kanë reaguar pas vendimit të gjykatës në Itali, e cila dënoi me burgim të përjetshëm ish-të dashurin e vajzës së tyre, Mark Samson, për vrasjen e saj.
Flamur dhe Gëzime Sula shprehën dhimbjen e thellë për humbjen e vajzës, duke theksuar se, pavarësisht vendimit të drejtësisë, asgjë nuk mund t’ua kthejë më atë.
“Drejtësia u vu në vend, por asnjë vendim gjykate nuk do të na e kthejë vajzën tonë”, deklaruan prindërit e Ilaria Sulës për mediat, pas shpalljes së vendimit.
Mark Samson, 24 vjeç, u shpall fajtor për vrasje me dashje, të rënduar nga paramendimi, motivet e dobëta dhe marrëdhënia sentimentale me viktimën. Ai akuzohet gjithashtu për fshehjen e kufomës.
Vendimi u shpall nga Gjykata e Krimeve, pas rreth tri orësh diskutimesh në dhomën e këshillimit, në sallën e sigurisë së lartë të burgut Rebibbia.
Prindërit e 22-vjeçares shqiptare u përfaqësuan në proces nga avokati Giuseppe Sforza.
Për familjen Sula, dënimi shënon vendosjen e drejtësisë për vrasjen e vajzës së tyre, por dhimbja e humbjes mbetet e pazëvendësueshme.
© SYRI.net