
Ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale të vitit 2027 pritet t’i sjellin buxhetit të shtetit rreth 14 miliardë lekë të ardhura neto shtesë, të barasvlershme me afërsisht 154 milionë euro. Sipas përllogaritjeve të pasqyruara në relacionet shoqëruese të projektligjeve, të ardhurat do të ndikohen nga ndryshimet në normat tatimore, taksimi i pagave, tatimi mbi fitimin dhe akcizat.
Një pjesë e rëndësishme e të ardhurave shtesë parashikohet të vijë nga ndryshimi i normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, që sipas përllogaritjeve do të rrisë të ardhurat buxhetore me 10,6 miliardë lekë. Ndërkohë, rritja e TVSH-së për industrinë turistike nga 6% në 10% pritet të gjenerojë edhe 614 milionë lekë të tjera, shkruan Shqiptarja.
Në anën tjetër, ulja e parashikuar e TVSH-së për produktet ushqimore nga 20% në 6%, duke nisur nga viti 2027, llogaritet të pakësojë të ardhurat e buxhetit me 12,8 miliardë lekë. Si rezultat, ndikimi i kombinuar i këtyre ndryshimeve në TVSH vlerësohet negativ, me rreth 1,6 miliardë lekë.
Të ardhura shtesë priten edhe nga ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”. Skema e re parashikon një normë tatimi prej 32% për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj, ndërsa tatimi mbi dividendin pritet të rritet nga 8% në 15% dhe tatimi mbi fitimin nga 15% në 17%. Sipas përllogaritjeve, këto ndryshime do të sjellin rreth 7 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhet gjatë vitit të ardhshëm.
Një tjetër masë është ulja e pragut të regjistrimit për TVSH-në nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Ky ndryshim pritet të përfshijë rreth 17 mijë biznese të tjera në skemën e TVSH-së 21%, me të ardhura të parashikuara prej 4,5 miliardë lekësh.
Ndërkohë, rritja e planifikuar e akcizës për duhanin, sipas kalendarit përkatës, parashikohet të shtojë edhe 4,1 miliardë lekë në arkëtimet e buxhetit të shtetit.
Sipas vlerësimeve të paraqitura në relacionet e paketës fiskale, efekti neto i masave të reja për buxhetin e vitit 2027 pritet të jetë pozitiv, në vlerën e rreth 14 miliardë lekëve, ose afro 154 milionë eurove.