15 vite në arrati, arrestohet në Ugandë i dyshuari për vrasjen e 38 personave dhe kanibalizëm
Pas 15 vitesh, forcat e sigurisë në Ugandë kanë arrestuar Moses Mujurizi, i dyshuar për vrasjen e 38 personave dhe ngrënien e pjesëve të trupave të tyre. Lajmi u bë i ditur nga shefi ushtarak i vendit, Muhoozi Kainerugaba, përmes një postimi në rrjetin social X.
Sipas raportimeve të mediave ugandase, Moses Mujurizi, i dyshuar si kanibal, akuzohet për vrasjen e 38 personave gjatë një periudhe prej 15 vitesh dhe për ngrënien e pjesëve të trupave të tyre.
Ai dyshohet se hynte natën me forcë në banesa dhe sulmonte viktimat me hanxhar. Gjithashtu, raportohet se ka joshur gra me premtimin e një lidhje.
Autoritetet po hetojnë nëse kanibali i dyshuar ka vepruar i vetëm apo ka pasur bashkëpunëtorë.
Sipas raportimeve, të dyshuarit i atribuohet edhe një sulm i vitit 2013 në shtëpinë e një pastori në zonën e Masakës, ku u vranë pastori, bashkëshortja e tij dhe shtatë anëtarë të tjerë të familjes. Mediat lokale raportojnë se Mujurizi është arrestuar disa herë gjatë viteve, por më pas është arratisur ose është liruar. Arsyet e këtyre lirimeve nuk janë bërë të ditura.
Në shtator të vitit 2026, një grua u vra gjithashtu në Masaka. Pas hetimeve për këtë rast, Mujurizi u arrestua në mesin e tetorit. Tashmë, hetuesit po shqyrtojnë edhe raste të tjera të personave të zhdukur në zonat ku dyshohet se ai ka vepruar. Sipas raportimeve, policia ka sekuestruar prova nga banesa e tij.
Shefi ushtarak Muhoozi Kainerugaba deklaroi se i dyshuari do të dalë para drejtësisë, duke shtuar se do të kërkohet ekzekutimi i tij. Megjithatë, akuzat ndaj Mujurizit duhet të shqyrtohen nga gjykata.

Përplasje e qëllimshme në Gjermani, policia qëllon ndaj BMW-së
Ish-Miss Zvicra akuzon Trumpin për përdhunim
Dyshime se mund të jetë larguar drejt Argjentinës, Brazili anulon pasaportat e Bolsonaros
- 19:54 Aksident në Elbasan, 2 makina përplasen në qendër të qytetit (VIDEO)
- 19:48 Përplasje e qëllimshme në Gjermani, policia qëllon ndaj BMW-së
- 19:41 Vendoset ardhmja e Xhakës te Zvicra
- 18:57 Kallëzimi i Veliajt për “Nesti Angonin”, Gjykata e Lartë ia kalon çështjen Gjykatës së Tiranës
- 18:55 Ish-Miss Zvicra akuzon Trumpin për përdhunim
- 18:48 Vrasja e studentes shqiptare në Itali, dënohet me burgim të përjetshëm ish-i dashuri i saj