
Nëkryetari i PD-së Këlliçi i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë sjelljen e policisë në protestat e dy javëve të fundit që janë shoqëruar me përplasje të forta mes efektivëve dhe protestuesve.
Numri dy i selisë blu shkruan se ndërsa policia ka ushtruar terror ndaj të rinjve e gjimnazistëv, prokuroria e Tiranës nuk ka ndaluar ende asnjë polic, shef apo epror.
Këlliçi vëren se gjatë dy javëve janë shoqëruar mbi 1000 të rinj, mes të cilëve 250 të mitur, ndërkohë asnjë të shoqëruar nga policia.
“Po bëhen 2 javë nga nisja e valës së terrorit policor ndaj studentëve, të rinjve dhe gjimnazistëve, dhe ende Prokuroria e Tiranës nuk ka ndaluar asnjë polic, asnjë shef apo epror të përfshirë direkt ose duke dhënë urdhra në dhunën brutale që shkaktoi dhjetra të plagosur.
Në dy javë, banditët me dhe pa uniformë, shoqëruan dhe arrestuan 1000 të rinj, mes tyre 250 të mitur, në një aksion çnjerëzor vetëm e vetëm për të ruajtur karrigen e Edi Ramës.
Para kësaj skene të madhe krimi, nuk kemi ende asnjë të ndaluar nga policia, megjithëse provat dhe dëshmitë janë parë nga gjithë shqiptarët. Edhe sa kohë i duhet prokurorit të Tiranës, Arenc Çela që të bëjë detyrën për të cilen paguhet?!” – shkruan Këlliçi.