Pjesëmarrja në zgjedhje deri më tani është më e larta e regjistruar ndonjëherë, ndërsa izraelitët votojnë në zgjedhjet që shumëkush i konsideron ndër më vendimtaret në historinë e vendit.
Sondazhet e publikuara të premten tregojnë se kryeministri në detyrë, Benjamin Netanyahu, është pothuajse në barazim me ish-shefin e ushtrisë, Gadi Eisenkot, në garën për postin e kryeministrit.
Megjithatë, parashikohet që asnjëri prej blloqeve politike të mos sigurojë 61 mandatet e nevojshme për formimin e qeverisë, çka mund të sjellë javë apo edhe muaj negociatash dhe përplasjesh politike.
Fushata është përqendruar te demokracia dhe siguria, ndërsa zgjedhjet shihen gjerësisht si një referendum për qeverisjen e Netanyahut.
Gjatë ditës së votimit, Netanyahu ka publikuar vazhdimisht mesazhe në rrjetet sociale lidhur me pjesëmarrjen e raportuar të lartë të votuesve arabë. Ai e ka cilësuar këtë situatë si një “emergjencë” dhe një “çështje jete a vdekjeje” për të djathtën izraelite, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij të dalin të votojnë.
Partia e tij, Likud, ka deklaruar se ka kërkuar zgjatjen e orarit të votimit përtej orës 22:00 (20:00 GMT). Ndërkohë, kampi i Eisenkot e ka cilësuar këtë si një përpjekje për të “përgatitur terrenin për pretendime që vënë në pikëpyetje integritetin e zgjedhjeve”.
Por Komiteti Qendror i Zgjedhjeve vendosi të mos e zgjasë orarin e votimit përtej orës 22:00, duke rrëzuar kërkesën e paraqitur nga partitë e bllokut të Netanyahut, raporton Haaretz. Sipas ligjit izraelit, votuesit mund të hedhin votën edhe pas orës 22:00, për sa kohë që janë paraqitur në qendrën e votimit deri në këtë orë.
Të martën në mëngjes, disa prej partive kryesore kanë ngritur pretendime për parregullsi në qendrat e votimit në të gjithë vendin. Megjithatë, Komiteti Qendror i Zgjedhjeve në Izrael (CEC) ka deklaruar se nuk ka prova për manipulim sistematik të fletëve të votimit.
Sistemi zgjedhor proporcional në Izrael ka bërë që qeveritë të formohen gjithmonë përmes koalicioneve, ndërsa gara për pushtet ka prodhuar edhe aleanca të papritura. Megjithatë, këto zgjedhje pritet të jenë veçanërisht të ngushta, ndërsa palët kanë përcaktuar tashmë vijat e kuqe për bashkëpunimin politik.
Eisenkot, i cili drejton partinë e sapoformuar Yashar, është figura kryesore e të ashtuquajturit “blloku i ndryshimit”, një bashkim partish me dallime ideologjike, por që kanë si synim të përbashkët largimin e Netanyahut nga pushteti.
Në këtë bllok bëjnë pjesë edhe ish-kryeministri Naftali Bennett dhe Avigdor Lieberman, të dy politikanë të së djathtës me qëndrime të ashpra për çështjet e sigurisë, si dhe Yair Golan, një ish-gjeneral me orientim të majtë.
Për Netanyahun, një figurë dominuese e politikës izraelite që mori për herë të parë postin e kryeministrit në vitin 1996, një mandat i ri do të varet nga një tjetër aleancë me partitë e ekstremit të djathtë dhe ato ultraortodokse, të cilat përbëjnë koalicionin e tij aktual qeverisës, të cilësuar si më i djathti në historinë e Izraelit.
Në garë janë edhe dy blloqe partish arabe, pasi rreth një e pesta e popullsisë së Izraelit është arabe. Shumë prej tyre e përkufizojnë veten si qytetarë palestinezë të Izraelit. Në teori, këto parti mund të luajnë një rol vendimtar në përcaktimin e shumicës parlamentare. Megjithatë, të gjitha partitë kryesore hebraike, me përjashtim të njërës, kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me to.
Fushata është dominuar nga çështja e sigurisë. Blloku opozitar ka kritikuar ashpër Netanyahun për dështimin e paprecedentë të sigurisë që i parapriu sulmeve të 7 tetorit 2023, të udhëhequra nga Hamasi kundër Izraelit. Gjatë këtyre sulmeve u vranë rreth 1.200 persona, ndërsa 251 të tjerë u dërguan pengje në Gaza.
Opozita ka kërkuar ngritjen e një komisioni të pavarur hetimor për sulmet, një nismë të cilës Netanyahu i ka rezistuar prej kohësh, duke pretenduar se një komision i tillë do të ishte i njëanshëm kundër tij.
Kundërshtarët e tij ngrenë gjithashtu shqetësime për atë që e konsiderojnë si kërcënim ndaj demokracisë nën qeverisjen e Netanyahut. Kryeministri po përballet me një proces gjyqësor për akuza korrupsioni, të cilat i mohon, ndërsa vijon të mbështesë plane të debatueshme për reformimin e sistemit të drejtësisë. Këto plane shkaktuan protesta masive përpara sulmeve të 7 tetorit.
Pavarësisht kritikave të opozitës, Netanyahu e ka paraqitur sërish veten si “zoti i sigurisë”, duke iu referuar fitoreve strategjike që, sipas tij, Izraeli ka arritur në luftërat në Lindjen e Mesme, si dhe marrëdhënies së tij të ngushtë me presidentin amerikan Donald Trump.
Të dielën, televizioni izraelit Channel 12 raportoi se Netanyahu kishte kërkuar një ndërhyrje të fundit ushtarake, e cila mund të shkaktonte një përballje me Iranin përpara zgjedhjeve, por ishte kundërshtuar nga vetë shefi i ushtrisë, Eyal Zamir. Të nesërmen, CNN raportoi se Netanyahu ishte përpjekur gjithashtu të bindte Trumpin të ndërmerrte sulme të reja ndaj Iranit, por presidenti amerikan kishte refuzuar të jepte miratimin. Netanyahu i mohoi të dyja raportimet.
Ai tërhoqi vëmendjen edhe në ditët e fundit të fushatës, pasi publikoi një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku paraqitej një bombë bërthamore që godiste Tel Avivin. Netanyahu paralajmëroi se është i vetmi udhëheqës që mund ta mbrojë Izraelin “nëse iranianët sigurojnë armë bërthamore”. Eisenkot e cilësoi atë si “histerik”.
Një tjetër çështje kryesore e fushatës ka qenë rekrutimi ushtarak. Qeveria e Netanyahut nuk ka zbatuar një vendim të Gjykatës Supreme, sipas të cilit burrat hebrenj ultraortodoksë që studiojnë fenë me kohë të plotë duhet të kryejnë shërbimin ushtarak. Kjo çështje ka shkaktuar përçarje të thella në shoqërinë izraelite.
Eisenkot mban një qëndrim përgjithësisht të ngjashëm me Netanyahun për Rripin e Gazës dhe është zotuar t’i japë fund sundimit të Hamasit në këtë territor brenda 18 muajve, përmes një plani paqeje të udhëhequr nga SHBA-ja ose, nëse është e nevojshme, me anë të ndërhyrjes ushtarake.
Izraeli ka vijuar sulmet ndaj Gazës pothuajse çdo ditë që prej arritjes së marrëveshjes së armëpushimit vitin e kaluar, duke deklaruar se shënjestron operativët e Hamasit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 74.000 persona që nga fillimi i luftës. Shifrat e kësaj ministrie konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.
Izraeli është përballur me kritika gjithnjë e më të forta ndërkombëtare për mënyrën se si ka zhvilluar luftën, ndërsa marrëdhëniet me aleatët e tij në mbarë botën janë përkeqësuar.
Eisenkot mbështet në masë të madhe vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, ai kërkon masa më të ashpra ndaj kolonëve ekstremistë hebrenj, sulmet e të cilëve kanë arritur nivele rekord, sipas të dhënave të OKB-së. Ai ka folur gjithashtu për krijimin e kushteve për një “autonomi ose një shtet të kufizuar” për palestinezët, që do të mbetej nën kontrollin përfundimtar të Izraelit në çështjet e sigurisë.
Zgjidhja me dy shtete, që parashikon krijimin e një shteti të pavarur palestinez që bashkëjeton në paqe me Izraelin, pothuajse është zhdukur nga debati politik kryesor në Izrael.
Edhe pse është spekuluar se partitë arabe mund të mbështesin në mënyrë joformale një qeveri të pakicës të drejtuar nga Eisenkot, Lieberman, një nga aleatët e mundshëm kryesorë, ka përjashtuar pjesëmarrjen në një marrëveshje të tillë.
Vija të kuqe si këto e bëjnë të ndërlikuar llogaritjen e shumicës parlamentare, por mbetet për t’u parë se çfarë lëshimesh, marrëveshjesh dhe ndryshimesh qëndrimi do të arrihen pas shpalljes së rezultateve.
Sipas raportimeve, një numër rekord prej 70.000 izraelitësh janë kthyer nga jashtë vendit për të votuar, ndërsa qindra mijëra të tjerë po votojnë për herë të parë.
Pas përfundimit të votimit të martën, televizionet izraelite do të publikojnë sondazhet në dalje të qendrave të votimit. Këto do të japin një ide paraprake për prirjen e votës, por rezultatet e tyre mund të ndryshojnë ndjeshëm nga ato përfundimtare.
Në të gjithë vendin, izraelitët do të mblidhen për të ndjekur publikimin gradual të rezultateve. Partia Likud e Netanyahut do të mblidhet në Jerusalem, ndërsa Yashar e Eisenkot, e themeluar vetëm vitin e kaluar, do të mblidhet në Tel Aviv.
Qindra mijëra ushtarë dhe rezervistë izraelitë po votojnë gjithashtu, por numërimi i shumë prej këtyre votave nuk do të nisë deri të mërkurën. Kjo mund t’u japë një avantazh të vonshëm partive të djathta, të cilat mendohet se gëzojnë mbështetje të fortë mes këtij grupi.
Edhe pse gara paraqitet shpesh si një përballje mes Eisenkot dhe Netanyahut, është e mundur që pushtetin ta marrë një tjetër udhëheqës, nëse ai refuzon të mbështesë një koalicion pa iu dhënë posti i kryeministrit.
Një nga skenarët që shqetëson shumëkënd është ngërçi politik, ku asnjëri prej blloqeve nuk arrin të sigurojë shumicën dhe nuk mund të formohet as një qeveri e pakicës. Në këtë rast, do të shpalleshin zgjedhje të reja, ndërsa Netanyahu do të qëndronte në detyrë si kryeministër i përkohshëm.
Mes viteve 2019 dhe 2022, Izraeli zhvilloi pesë palë zgjedhje të veçanta, pasi partitë dështuan vazhdimisht të arrinin marrëveshje bashkëpunimi. /BBC/
© SYRI.net