Një 24-vjeçar shqiptar, i dënuar me 30 muaj burg në Belgjikë për vjedhjen e një kasaforte që peshonte 400 kilogramë, po kërkon një dënim më të butë në Gjykatën e Apelit në Gent. Para gjykatës, ai ka pretenduar se në momentin e kryerjes së vjedhjes ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drogës, ndërsa ka shprehur pendesë për veprimet e tij.
Ngjarja ndodhi në banesën e një gruaje që ndodhej me pushime. Kur vëllai i saj shkoi në shtëpi për të ujitur lulet, zbuloi se banesa ishte bastisur dhe kasaforta ishte zhdukur.
Brenda saj ruheshin medalje të vjetra ushtarake, unaza fejese, bizhuteri me vlerë deri në 50 mijë euro, si dhe albume fotografike me rëndësi të veçantë personale për familjen.
Sipas mediave belge, autoritetet arritën të identifikonin të dyshuarin përmes analizave të ADN-së, çka çoi më pas në arrestimin e tij. I riu e ka pranuar përgjegjësinë për vjedhjen dhe gjatë seancës në Apel ka shprehur keqardhje për atë që kishte bërë.
Avokatja e tij, Pauline Collin, kërkoi një trajtim më të butë për klientin, duke argumentuar se ai nuk kishte shkuar në Belgjikë me synimin për të kryer vepra penale. Sipas saj, 24-vjeçari kishte punuar fillimisht në një kafene dhe më pas në sektorin e ndërtimit, por më vonë kishte nisur të konsumonte alkool dhe drogë, duke u ndikuar edhe nga shoqëria e keqe.
Vetë shqiptari deklaroi para gjykatës se ishte penduar dhe se nuk kishte qenë në gjendje të kthjellët kur kreu vjedhjen. Ai shtoi se, pasi të lirohet nga burgu, synon të kthehet në Shqipëri.
Gjykata e Apelit në Gent pritet të shpallë vendimin përfundimtar më 24 nëntor, kur do të vendoset nëse do të pranohet kërkesa për uljen e dënimit.


